Kurti ia konfirmon Kamberit se mbështetja e Qeverisë për shqiptarët në Luginën e Preshevës do të vazhdojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim sot Shaip Kamberin, deputetin shqiptar që zgjidhet për të katërtën herë si pjesë e Kuvendit të Serbisë pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit që u mbajtën në Serbi.

Kamberi ishte bartës i listës  “Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon”. Në takim me Kurtin të pranishëm ishin edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Shqiprim Musliu, kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri dhe nga Aleanca për Luginën, Ilir Sadriu.

Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria thuhet se Kurti i përgëzoi për rezultatin në këto zgjedhje të jashtëzakonshme në betejën për pozitën e shqiptarëve të diskriminuar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Me këtë rast u theksua rëndësia e unifikimit të spektrit politik shqiptar, për të garantuar përfaqësimin politik e zërin shqiptar në parlamentin atje. Ky bashkim që erdhi në prag të zgjedhjeve e me qëllim të përbashkët ka dëshmuar se pluralizmi partiak rreth unitetit kombëtar është vlerë e shqiptarëve”.

“Gjatë bisedës, kryeministri Kurti konfirmoi se mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës do të vazhdojë e do të fuqizohet në përkrahje të shqiptarëve si pakicë kombëtare në Serbi, që përballet me diskriminim sistematik të institucioneve shtetërore”, thuhet në njoftim./Klankosova

Lexo gjithashtu
Total
0
Share