Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i vizitoi të mërkurën komunat me shumicë serbe në veri të vendit – Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun – për, siç tha, të biseduar me udhëheqësit vendës për përmirësimin e marrëdhënieve me qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, apo fetare.
“Ne jemi kundër ndarjes së shoqërisë, jemi për barazi. Institucionet tona duhet t’i trajtojnë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe t’iu mundësojnë qasje në sistemin institucional”, tha Kurti pas takimit me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Kryetarët shqiptarë erdhën në pushtet në komunat në veri të Kosovës në fillim të vitit të kaluar përmes zgjedhjeve të cilat u bojkotuan nga popullata serbe dhe partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe.
Kjo çështje ngriti edhe tensionet etnike në maj të vitit të kaluar, të cilat kulmuan më 24 shtator 2023, kur një grup i serbëve të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Por, ka kohë që kanë nisur procedurat për shkarkim të kryetarëve të tanishëm, çka do të mund të hapet rruga për zgjedhje të reja në këto komuna.
Kurti ka thënë se gjatë vizitës së tij në veri e ka vizituar edhe vendin në Banjskë “ku ka rënë në pritë” Afrim Bunjaku, rreshteri policor i vrarë në atë sulm.
Për vizitën e Kurtit në komunat e veriut u raportua fillimisht nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.
Lista Serbe tha në një komunikatë për media se vizita e kryeministrit Kurti në komunat e veriut ka për qëllim “destabilizimin e situatës në terren dhe shkaktimin e tensioneve”.
“Është më se e qartë se me ardhjen e tij, ai donte të provokonte reagimin e popullit serb dhe të paraqitej si viktimë për të fituar disa pikë politike, apo vota për zgjedhjet e ardhshme”, tha Lista Serbe.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës nënvizoi se “tendencat për destabilizimin e Kosovës vijnë nga ana tjetër”, duke iu referuar Serbisë.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar me pretendimet se Kurti, duke shkuar në Leposaviq dhe Zubin Potok, “ka vendosur të ngrejë tensione të reja” në veri të Kosovës vetëm një ditë para vazhdimit të dialogut në Bruksel.
“Kurti nuk ka çfarë të kërkojë në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’, ku nuk është i mirëpritur. Veprimi i Kurtit shkaktoi revoltë dhe indinjatë te serbët të cilët e shohin atë si një pushtues që i keqtrajton çdo ditë”, tha Petkoviq.
Gjatë vizitës së tij në veri të Kosovës, Kurti vendosi lule edhe në pllakën përkujtimore të ish-policit të Kosovës, Enver Zymberi, në Zubin Potok, ku ishte vrarë në vitin 2011, nga persona ende të paidentifikuar.
Ai u vra gjatë një aksioni të organizuar nga Qeveria e Kosovës për marrjen e kontrollit të pikave kufitare 1 dhe 31 në Jarinjë dhe Bërnjak
Duke folur për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, ku duhet gjetur zgjidhja për pagesën e beneficioneve për serbët në Kosovë nga buxheti i Serbisë, Kurti ka ripërsëritur qëndrimin se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës nuk ndalon dinarin, por përcakton euron si valutë të vetme.
Serbia u paguan të ardhura të ndryshme pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë prej vitesh, por kjo është bërë e vështirë nga 1 shkurti, kur hyri në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, i cili e ndalon përdorimin e dinarit për pagesa me para të gatshme.
Kurti ka vlerësuar se Serbia insiston që t’i paguajë paratë “në para të gatshme sepse i paguan disa njerëzve që nuk duhet”, duke mos specifikuar për cilët persona bëhet fjalë.
“Nuk kam asgjë kundër faktit që mjekët, profesorët, mësimdhënësit marrin mjete, por duket se shqetësimi kryesor i Beogradit është që disa persona të tjerë të mos marrin para në para të gatshme”, tha Kurti.
Ai shtoi se rregullorja e BQK-së është miratuar për të pasur një pasqyrë të qarkullimit të parave.
Kosova fillimisht refuzoi të diskutojë çështjen e dinarit në kuadër të dialogut, por tema u hodh në tavolinë pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare.
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se bisedimet e javës së kaluar ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë shënuan përparim dhe se ato do të vazhdojnë të enjten e 4 prillit në Bruksel.