Kurti: Gjatë qeverisë sime, ekonomisë i janë shtuar mbi 1 miliard euro për çdo vit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se gjatë qeverisjes së tij, ekonomisë i janë shtuar mbi 1 miliard euro për çdo vit, janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja.

Kurti tha se në vitin 2020, Bruto Produkti Vendor ka qenë 6.77 miliardë euro, ndërsa në vitin e ardhshëm do të jetë mbi 10 miliardë euro.

“A e dinë çfarë do të thotë që Bruto Produkti Vendor i një vendi të rritet për gati 50 për qind për vetëm 4 vjet. Është shumë vështirë të gjeni në histori e në botë ku Bruto Produkti Vendor rritet për gati 50 për qind për vetëm 4 vjet”.

“Qeveria jonë është shquar për investime në mbrojtje dhe siguri, shëndetësi, arsim dhe bujqësi. Arsimi i lartë publik është falas dhe kurrë nuk ka pasur më shumë bursa për studentë. Mbi 4 mijë bursa për studentë, ku mbi 70 për qind janë për ata që studiojnë shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, dhe sot që po flasim në Kosovë gjysma e studentëve që studiojnë në STEM janë vajza”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv .

Tutje, kreu i qeverisë foli edhe për blerjen e armatimit nga ana e Kosovës, ku tha se sot, kurrë më vështirë në këtë shekull s’ka qenë blerja me armatim.

“Jo pse nuk ka, por se radha është shumë e gjatë dhe kurrë më shumë armatim, municion e pajisje nuk janë blerë më shumë se tani”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Kurti foli edhe për çështjen e vizave, ku tha se nuk mendon që po zbrazet Kosova, teksa shtoi se “ka emigrim, por nuk ka zbrazje e nuk do të ketë as pas 1 janarit”.

Ai tha se qeveria të cilën ai e udhëheq ka synim ta ulë varfërinë, ku tha se në bazë të të dhënave të disponueshme rreth 25 për qind e popullsisë është e varfër, “që do të thotë se 1 në 4 qytetarë të Kosovës jetojnë me më pak se 5 euro në ditë”.

“Dhe në bazë të synimeve për zhvillim të qëndrueshëm, ku kemi edhe bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ne synojmë që këtë në vitin 2027 ta zbresim në së paku 19%. Ama, ta keni parasyshim që sot që po flasim, është bërë një vit kur LDK-ja e ka dërguar Ligjin për çmimin tavan në Kushtetuese”.

“Luftimin e varfërisë dhe heqjen e barrës së buxhetit të shtetit për asistencë sociale, asgjë nuk do ta ndihmonte sikurse çmimi tavan për produktet bazë të konsumit, i cili ngelet i ngujuar në Kushtetuese dhe sot kur po diskutojmë janë bërë fiks 1 vit kur grupi parlamentar i LDK-së e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese duke e pamundësuar vendosjen e çmimeve tavan”, tha Kurti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share