Nuk ka paralajmërime për ndonjë takim të nivelit të lartë
Muaji dhjetor duket të mos jetë në fokus të Brukselit për organizim të ndonjë takimi të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq në Bruksel.
Kështu së paku thotë kryeministri Albin Kurti i cili thotë të mos jetë në dijeni për ndonjë takim të planifikuar për këtë vit.
Derisa fokusi i palës serbe duket të jenë zgjedhjet e 17 dhjetorit, Kosova sipas kryeministrit Albin Kurti është e përqëndruar në siguri.
Thotë se kriminelët e sulmit të Banjskës duhet të ballafaqohen me drejtësinë.
“E siguria është siguria e kufijve. Ne duam normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por nuk mund të kemi normalizim pa siguri, e siguria nënkupton që kriminelët nuk duhet të jenë të lirë siç po ngjanë në Serbi”, deklaroi Kurti.
Kosova dhe Serbia kanë pranuar planin e BE-së për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit të arritura gjatë këtij viti e në këtë plan hyn edhe formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Derisa kryeministri kërkon që marrëveshje për zbatim e këtij plani të nënshkruhet nga të dyja palët e pastaj të nis zbatimi pala serbe heziton të nënshkruajë dhe kërkon zbatimin pa ndonjë nënshkrim./KlanMacedonia