Kurti: E çuditshme heshtja dhe toleranca e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbajti një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë. Në fokus të diskutimeve të tyre ka qenë rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Kurti e quan rastin agresion ndaj Kosovës dhe hakmarrje ndaj policisë e cila po lufton krimin në veri.

Ai i bëri thirrje aktorëve ndërkombëtarë që ta dënojnë sjelljen e Serbisë. Po ashtu u shpreh se “është e çuditshme heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë”

“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për eskalim e destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin pesë-pikësh për de-përshkallëzim, pra për de-eskalim dhe normalizim. Për këto arsye institucionet tona të rendit dhe të sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë. Për arsye të sigurisë si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese.

Cënimi i kufirit dje nga Serbia na detyron që të rrisim kontrollet kufitare që të rrisim kontrollet kufitare që varësisht nga analiza dhe vlerësimet e vazhdueshme të institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesa të qarkullimit në rastet kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik apo nuk mund të garantohet siguria. Veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse. Synimi ynë është siguria dhe kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer dhe u bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar. Serbia nuk ka ndryshuar në qëllime, synime apo apetite. Nuk është se po na befason me sjelljen e saj. Ajo që është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe destabilizim. E kur nuk ka atëherë është e gatshme dhe e aftë t’i krijojë ato”, tha Kurti.

Kujtojmë që ditën e djeshme, tre policë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe në Leposaviç. Autoritetet kosovare njoftuan se ky rast ndodhi në brendësi të territorit të Kosovës./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share