Kurti dhe Vuçiqi përballë njëri-tjetrit në KS të OKB-së

DINARI SERB NË KOSOVË

KURTI DHE VUÇIQI PËRBALLË NJËRI-TJETRIT NË KS TË OKB-së

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për situatën në Kosovë, e paraparë me kërkesë të Serbisë e ku do të diskutohet për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që e vetmja valutë zyrtare në Kosovë të jetë euro.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuciq do të jenë përballë njëri tjetrit por jo në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Ata do ti përfaqësojnë vendet e tyre në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Neë York që mbahet me kërkesë të Serbisë.

E para se të mbahet seanca që nis në orën 21.00 sipas kohës lokale, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se heqja e dinarit si valutë në Kosovë, i ndihmon integrimit të komunitetit serb.

Ai ka thënë se përmes sjelljes së dinarit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përmes Listës Serbe i ka shantazhuar qytetarët e këtij komuniteti në Kosovë.

Një ditë më parë një furgon që po barte rreth 117 milionë dinarë nga Serbia ka tentuar që të futet në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinjë, por është ndaluar nga Policia dhe Dogana.

Autoritetet kosovare kanë sqaruar se qarkullimi i monedhave të tjera nuk lejohet pa autorizimin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Serbia tentoi të krijoj tension artificial nëpërmjet dërgimit të dinarëve në pikën kufitare.

Nga 1 shkurti ka nisur zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës që e njeh euron si valutë të vetme në Kosovë, vendim ky që është kundërshtuar nga Serbia. Faktori ndërkombëtar ka kërkuarshtyrjen e zbatimit të kësaj rregullore por që deri më tash nuk kanë gjetur një pajtueshmëri me kryeministrin Kurti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share