Kurti dhe Vuçiq konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e Brukselit

Liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takimin për menaxhimin e krizave, që është thirrur nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 22 qershor tha se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.

“Biseda me të [Kurtin] nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për [Adem] Demaçin, pak për [Karl] Marx”, tha Vuçiq.

Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.

Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.

“Kam ftuar liderin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe atë të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel për takime urgjente për të gjetur një mënyrë për të dalë nga kriza aktuale. Na duhet shtensionim i menjëhershëm i situatës dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe BE-në”, shkroi ai në Twitter. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share