Kurti dhe Vuçiç, nesër në Bruksel

Pritet të kenë takime të ndara me liderët europianë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian.

Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.

Në një përgjigje për Tv Klan nga zyra për media e kryeministrit thuhet se ai ka shprehur pajtueshmërinë e tij që ky plan i ri të jetë kornizat e vazhdimit të diskutimeve të mëtejme me shtetet aleate.

“Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, SHBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e qeverisë.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka bërë të ditur se në Bruksel nuk do të ketë takim të planifikuar të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës e Serbisë, por takime të ndara mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me liderët evropianë.

E kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thënë se nëse do të ketë draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai do të propozohet nga Kosova.

“Në një shikim sipërfaqësor, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë. Por edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse ndonjëherë ndodhë ndonjë draft i Asociacionit ai do të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse ndodhë, nëse jo nuk do të propozohet fare dhe nuk do të ishte rezultat i negociatave. Rezultat i negociatave është marrëveshja e Ohrit e cila është pranuar nga Republika e Kosovës, por jo edhe nga Serbia”.

Tha se institucionet e sigurisë janë duke u përgatitur për sulme eventuale të mundshme në veri.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share