Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se këtë vit, buxheti për komunat në vend është më i madh ndonjëherë. Ai ka mohuar akuzat se po favorizohen komunat e afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
Në një takim me kryetarët e komunave së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Kurti ka shtuar se buxheti i vitit 2024 është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak 2023, kurse për tri vite mandat buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë
“Granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2024 kap vlerën 284.7 milionë euro, që është granti me vlerën më të madhe ndonjëherë. Komuna e Ferizajt dhe Gjakovës janë komunat me më së shumti projekte infrastruktore, kurse Obiliqi, Skenderaj, Rahovec janë renditur në top tre komunat përfituese nga granti i performances komunale që ndahet nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal. Po dëgjojmë fjalë se komunat e afërta me pushtetin po përfitojnë më shumë, e kjo nuk qëndron aspak”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se secila komunë këtë vit e ka të paktën për 40 për qind më të lartë buxhetin sesa para tre viteve, ndërsa kërkoi nga kryetarët që të mos kontribuojnë në keqinformim të qytetarëve kur vjen puna tek mbështetja e nivelit qendror për atë lokal.