Kryeministri kosovar paralajmëron ndryshime në qeveri
Marrëveshja e arritur për letërnjoftimet nuk e zgjidhi plotësisht ngërçin e krijuar mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo, pasi më 1 shtator qeveria e Kosovës ka vendosur të zbatojë reciprocitetin për targat. Duke folur për “BBC World service”, kryeministri i Kosovës Albin Kurti shpreson që edhe për këtë çështje të arrihet një dakordësi mes palëve.
“Më 1 shtator shpresojmë që të mos kemi dokumente që nuk janë legjitime, pos atyre të njohura si “RKS” apo Republika e Kosovës. Një gjë e tillë nuk është kundër serbëve, por po bëhet për respektim të ligjit dhe të reciprocitetit.”
Ndërsa gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes së Vetëvendosjes, Kurti u tregua i ashpër me ministrat e kabinetit, duke paralajmëruar ndryshime në qeveri.
“Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj. Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer, jo për të sunduar. Ministrat, zv.ministrat dhe i gjithë stafi politik, e dinë që do të mund të ketë ndryshime e do të vlerësohen.”
Jo pak kritik ishte edhe ndaj mungesës së deputetëve të Lëvizjes së Vetëvendosjes nëpër seancat plenare të Kuvendit, duke paralajmëruar mos rikandidim të disa prej tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
/Tv Klan