Kurti: Asociaconi sipas Kushtetutës. Vuçiq nuk e pranoi ta firmoste në Bruksel

Drafti i Asociacionit  të Komunave me Shumicë Serbe është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës së Kosovës ka thënë kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media.

Sipas tij, nëse në Bruksel do të kishte nënshkrim të marrëveshjes, atëherë ky draft  i paraqitur nga diplomatët perëndimorë, do të kontrollohej  nga Gjykata Kushtetuese.

“Më 21 Tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje.”

Por tha se ai ishte i gatshëm, ndërsa Serbia është ajo që refuzoi  ta nënshkruante marrëveshjen, përfshirë draftin e Asociacionit.

Deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, kundërshton pranimin në OKB dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës, Kurti i ka cilësuar si kërcënim direkt nga Serbia dhe shkelje të marrëveshjeve.

Ka refuzuar të japë detaje për planin e ri evropian duke thënë se kjo është kërkuar nga emisarët.

“E respektojmë kërkesën e pesë emisarëve, që deri sa na kërkohet të mos flasim konkretisht për të. Por më e rëndësishmja është që emisarët kanë deklaruar se e kanë shkruar me kujdes duke pasur parasysh Kushtetutën dhe ligjin dhe se përgjigjen për çfarëdo dilema do ta japë gjithnjë Gjykata Kushtetuese.”

Sa i përket masave ndaj Kosovës, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka thënë se ka një dakordim informal në BE që ato janë të padrejta ndaj Kosovës.

Diplomatët euroamerikan i kanë dorëzuar të shtunën Kosovës dhe Serbisë një plan të detajuar për normalizimin e marrëdhënieve, por që nuk pati nënshkrim për zbatimin e marrëveshjeve të deritashme të Brukselit.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share