Kursimi I rrymës: Llogaritja verore e kohës edhe gjatë dimrit

SHQYRTOHEN MUNDËSITË PËR VAZHDIMIN EVENTUAL TË LLOGARITJES VERORE TË KOHËS

 Ditëve në vijim, Ministria e Ekonomisë, duhet t`i shqyrtojë mundësitë rreth vazhdimit eventual të llogaritjes verore të kohës, me qëllim të kursimit të harxhimit të energjisë elektrike.

Me qëllim të kursimit të energjisë elektrike, ekziston mundësia që sivjet akrepat e orës të dielën më 30 Tetor të mos zhvendosen në llogaritjen dimërore të kohës. Ministria e Ekonomisë gjatë ditëve në vijim duhet t`i shqyrtojë mundësitë rreth vazhdimit eventual të llogaritjes verore të kohës, me qëllim të kursimit shtesë të harxhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike.

Ekspertë të ekonomisë, tashmë janë duke analizuar se si janë rrethanat për vazhdimin eventual të llogaritjes verore të kohës. Kryeministri Kovaçevski tha se përgjigja do të dihet së shpejti.

“Vendimi duhet të merret para fundit të këtij muaji, do të shohim nëse do të vazhdojmë me llogaritjen e njëjtë të kohës, sikurse tani apo do ta bëjmë ndryshimin. Për momentin nuk mund ta them, do t`i shohim analizat” – tha Kryeministri Kovaçevski.

Llogaritja dimërore e kohës duhet të nis të dielën më 30 Tetor, kur akrepat e orës duhet të shkojnë një orë prapa, kurse llogaritja verore duhet të kthehet më 27 Mars të vitit të ardhshëm.

Debati për shfuqizimin e llogaritjes dimërore dhe verore të kohës është hapur para katër viteve edhe në Komisionin Evropian, kurse madje 83% e qytetarëve të BE-së atëherë u prononcuan se mbështesin heqjen e mënyrës aktuale të llogaritjes së kohës.

Por, për shkak të pandemisë me COVID-19 dhe byrokracisë kjo ide ende nuk po zbatohet në praktikë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share