Kur do të hapet ura e Ibrit? Kurti sot nuk dha përgjigje para gazetarëve për këtë çështje…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fillim të javës së kaluar tha se hapja e Urës së Ibrit do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, e madje ai theksoi se një gjë e tillë është dashur të ndodh qysh 25 vjet më parë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Pavarësisht se aleatët e Kosovës janë deklaruar kundër dhe kërkesë e tyre ka qenë që kjo të ndodhë në Bruksel përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se hapja e Urës së Ibrit s’do t’i befasojë miqtë evropian dhe amerikan, por edhe “nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht”.

“Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë në bazë të planit të cilin e kemi ndarë së bashku me partnerët, miqtë aleatët amerikan dhe evropian. Kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri e në jug. Kemi zhvilluar konsultime edhe më shqiptarët, edhe me komunën veriore të Mitrovicës, gjithashtu e kemi testuar qëndrueshmërinë fizike dhe teknike të urës dhe po e bëjmë një dizajnim. Dhe këtë do ta bëjmë sa më parë, por nuk do t’i befasojmë miqtë tanë evropian dhe amerikan në njërën anë por në anën tjetër as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë dhe besojmë se është e drejtë dhe e nevojshme, e dobishme për të gjithë hapja e kësaj ure”, kishte thënë Kurti të hënën e 19 gushtit për Zërin e Amerikës.

Kryeministri Kurti pati deklaruar se Kosova është e vonuar për shumë vite lidhur me këtë çështje, pasi është arritur marrëveshja në Bruksel dhe se nuk ka pse të diskutohet më tepër.

Në deklaratat e tij, Kurti gjithmonë kishte deklaruar se ura s’është kundër askujt, por vetëm për të gjithë qytetarët.

“Në këtë rast kemi një situatë të ngjashme. Ura mbi lumin Ibër është dashur të hapet atëherë kur është çliruar Kosova, para 25 viteve, Ajo nuk është dashur të jetë e mbyllur atëherë kur u pavarësua Kosova, para 16 viteve. E ajo është dashur të jetë e hapur edhe para 8 viteve në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe planit të zbatimit. Kësisoj ne jemi trefish të vonuar për shumë vite dhe ajo çfarë duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat dhe kapitalin në të dy anët e lumit Ibër, të ketë sundim të ligjit që nuk e përjashton askënd dhe kjo paraqet vetë frymëmarrjen e shtetit demokratik. Duhet të na mirëkuptoni se ne nuk mund të themi se sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë gjithandej Kosovës për të gjithë tërë kohën, përveçse në urën mbi lumin Ibër. Jemi duke i dëgjuar me vëmendje të gjitha sugjerimet, kurrë nuk ka pasur më shumë konsultime dhe koordinim dhe jam bindur se do ta kemi edhe sundimin e ligjit e lirinë e lëvizjes në njërën anë edhe paqen e sigurinë. Hapja e Urës mbi Lumin Ibër nuk është kundër askujt. Ajo është për komunitetin serb, për shqiptarët, për serbët, boshnjakët dhe të gjitha pakicat sikurse turqit, egjiptianët, ashkalinjë edhe romët. Evropa i ka shembur të gjitha muret, ne jemi në Evropë dhe duhet ta hapim edhe këtë urë”, kishte deklaruar kryeministri Kurti.

Por, ditën e sotme i pyetur se kur do të hapet Ura e Ibrit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti s’pati fare përgjigje.

Ai s’u përgjigjej në pyetjen e gazetarëve.

Ndonëse ishte në përurim të Klinikës Emergjente të QKUK-së, por krahas kësaj, Kurti foli vetëm për vizitën me shefin e CIA-s William Burns, ndërsa çështjes më të përfolur nga pushtetit në dy javët e fundit për hapjen e Urës së Ibrit, nuk i dha zë.

Partia në pushtet ka qenë shumë aktive për këtë çështje, me deklarata të shumta, e një zëri se Ura duhet të hapet.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili ka zhvilluar vizita të shpeshta në veri, e ishte i pranishëm në inspektimet që kryheshin në Urën e Ibrit, ka deklaruar se s’ka arsye që Ura e Ibrit të mos hapet.

“Ura do të hapet, nuk ka kurrfarë arsye mos mu hap. Kur do të hapet është çështje e vlerësimit të ekspertëve”, ka thënë Sveçla.

Lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga Qeveria Kurti që të mos marrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të cilat sjellin pasoja negative te një pakicë njerëzish.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Në anën tjetër, zëdhënësi i qeverisë, Peter Stano ka thënë vazhdimisht se hapja e urës së Ibrit duhet të bëhet vetëm pëmres dialogut, ndërsa javën e kaluar tha se Qeveria Kurti bën mirë që t’i dëgjojë mesazhet e partnerëve të saj.

/Reporteri.net/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share