Kualifikimet për euro 2024: Shqipëria e pafat në Varshavë

POLONIA I SHKAKTON HUMBJE KUQEZINJVE NË DEBUTIMIN E SYLVINHOS

Dëshira nuk vlen për të marrë pikë! Kombëtarja shqiptare e nisi në mënyrën më të keqe të mundshme rrugën drejt EURO2024. Kuqezinjtë e Sylvinjos u mposhtën minimalisht 1-0 nga Polonia në Varshavë. Ulja në stol e Brazilianit duket se ka sjellë harmoninë në kombëtare, por fati nuk ishte në krahun tonë, duke dështuar për të marrë ndoshta një pikë që do të ishte frymëzuese për djemtë tanë.

Sylvinho ndryshoi fytyrën e kombëtares sonë, teksa aplikoi formacionin me një sistem 4-3-3. Një skemë ndryshe tek kuqezinjtë, e papërdorur prej kohësh, por që nuk solli frytet e kërkuara. Shqipëria ishte solide në fushën e lojës, gjithsesi nuk arriti që të jetë konkrete në ato pak raste të krijuara.

Cikalleshi kërcënoi portën e Sheznin, me gardianin e Juventusit që ishte në pozicion. Atë që nuk e bëri Shqipëria, arrin ta bëjë Polonia. Sëiderski përfitoi nga një pakujdesi në mbrojtje dhe topin e kthyer nga shtylla pingule e përktheu në gol. Një realizim që kapi në befasi Shqipërinë, me teknikun Sylvinho që në dhomat e zhveshje u mundua të kthejë faqen.

Hedhja në fushë e lojtarëve si Mehmeti, Seferi, Bajrami e Laçi shtuan ritmin e kuqezinjve, por rastin më të mirë për të gjetur golin e krijuan Uzuni e Asllani. Në këmbët e beratasit ishte edhe një rast i artë për të shënuar, por gaboi koordinatat. Një shans i shpërdoruar, me Shqipërinë që mban vendin e fundit me 0 pikë pas një takimi të luajtur. Ndërkaq, situata në grupin E është e tillë, me Çekinë që kryeson me 4 pikë, ndjekur nga Polonia me një pikë më pak, Moldavia në kuotën e 2 pikëve dhe Ishujt Faraoe me 1 pikë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share