“Nga 30 pjesëtarë të grupit kriminal në veri të Kosovës, 3 prej tyre të vrarë janë shtetas të Kosovës me kombësi serbe”. Kështu ka deklaruar gazetarja e “Klan Kosovës”, Blerta Dalloshi Berisha në një lidhje direkte për emisionin “Opinion”.
Gazetarja ka treguar dhe dyshimet që qëndrojnë pas fshehjes së anëtarëve të tjerë të grupit kriminal në veri të Kosovës.
Blendi Fevziu: A ka informacion deri tani se për sa persona të vrarë bëhet fjalë dhe çfarë kombësie janë këto persona të vrarë?
Blerta Dalloshi Berisha: 3 persona zyrtarisht janë të vrarë edhe pse ministri Sveçla la të nënkuptohet se dyshohet se mund të jetë numri më i madh i tyre. 3 personave iu janë gjetur trupat. Trupi i fundit është gjetur sot.
Blendi Fevziu: Pra, 3 persona janë në morgun e Kosovës?
Blerta Dalloshi Berisha: Këto 3 personat janë nga veriu i Kosovës të vrarë.
Blendi Fevziu: Pra, janë shtetas të Kosovës me kombësi serbe?
Blerta Dalloshi Berisha: Po.
Blendi Fevziu: Kryeministri ka folur për rreth 30 persona. Nga këta, 3 janë vrarë, 6 janë kapur. Po 21 të tjerë ku shkuan?
Blerta Dalloshi Berisha: 6 të tjerë dyshohet se janë të plagosur dhe gjenden në Serbi. Dyshimet janë që gjatë sulmit i kanë përdorur automjetet e blinduara për t’u larguar nga manastiri.
Blendi Fevziu: Po, a ishte i rrethuar manastiri?
Blerta Dalloshi Berisha: Ka shumë pikëpyetje rreth këtij aksioni dhe si kanë ikur nëse ka qenë i rrethuar siç është thënë dhe në konferencë për mediat./tvklan.al