Ku qëndron Siria në strategjinë e Iranit për Lindjen e Mesme?

Irani është i etur që të ndërtojë mbi aleancën e kamotshme me Sirinë, por arritjet e Teheranit për zgjerimin e ndikimit të tij në shtetin arab po kërcënojnë një prej objektivëve të tij kryesorë: që të qëndrojë larg vijës së zjarrit në luftërat e tij në hije në Lindjen e Mesme.

Siç tha ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, më herët gjatë këtij muaji gjatë një vizite në Damask në përvjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979, Teherani e konsideron Sirinë si një vijë të frontit të “Boshtit tonë të rezistencës”, i cili është një rrjet bashkëpunëtorësh dhe grupesh militante që mbështeten nga Teherani e që janë kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Pas takimit të 11 shkurtit me zyrtarët e lartë sirianë dhe presidentin Bashar al-Assad, ministri Amir-Abdollahian vuri në pah rolin e rëndësishëm që luan Damasku në kundërshtimin e armiqve të tij dhe vendosjen e “stabilitetit dhe sigurisë” në rajonin gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

Por, përderisa kryediplomati iranian citoi luftën që po vazhdon në Rripin e Gazës si pozicion të forcës për “Boshtin e rezistencës” dhe stimul për rritjen e bashkëpunimit me Damaskun, vëzhguesit dhe raportimet mediale kanë sugjeruar se goditja e drejtpërdrejtë ndaj interesave iraniane dhe personelit në Siri po e shtyn Teheranin që të rillogarisë qasjen e tij.

Irani ka investuar shumë në raportet me tij me Sirinë për dekada të tëra dhe ky investim ka qenë pjesë e përpjekjes së Republikës Islamike shiite për të eksportuar revolucionin e tij në mbarë botën arabe dhe myslimane.

“Iranianët bënë shumë sulme me Hafez al-Assad, babanë e liderit aktual të Sirisë, kur ata lëshuan një vendim fetar që thoshte se Alavitë – feja e familjes udhëheqëse – u cilësua si sekt i pranueshëm i shiitëve”, tha Thanassis Cambanis, drejtor i Century Foundation, me seli në SHBA.

Ky vendim ishte i pari nga shumë hapa në “një raport vërtetë të thellë, ndër breza, shtet me shtet midis Iranit dhe Sirisë”, tha Cambanis.

Raportet u forcuan edhe më shumë në fillim të udhëheqjes së Bashar al-Assadit, pas pushtimit të Irakut nga SHBA-ja më 2003.

“Assadi ishte relativisht një sundimtar i ri, ai kishte frikë nga një pushtim i SHBA-së dhe zbuloi se një partneritet në rritje në koordinim me Iranin e mbante atë më të sigurt në bazën e pushtetit brenda vendit, dhe po ashtu e mbante më të sigurt përballë një lloj kërcënimi për ndryshimin e regjimit të orkestruar nga SHBA-ja”, tha Cambanis.

Nisur nga viti 2018, fitoret në luftën civile siriane i lejuan Iranit që të zvogëlonte praninë e Gardës Revolucionare, tha Azizi, me mercenarët e huaj dhe luftëtarët lokalë që ka trajnuar gjithnjë e më shumë po integrohen në forcat e armatosura siriane. Është një kontrast i madh krahasuar me fillimin e luftës që shpërtheu më 2011, shtoi Azizi, dhe pjesa më e madhe e forcave që u rekrutuan dhe trajnuan në Siri, Garda Islamike ia dorëzoi Hezbollahut.

Sukseset në Siri po ashtu i mundësuan Teheranit të mbështetet në mbrojtjen e tij kundër një sulmi të mundshëm në tokën iraniane nga Izraeli.

“Sapo Irani arriti objektivët e tij strategjikë në sigurimin e mbijetesës së regjimit të Assadit dhe të korridorit tokësor, Garda Revolucionare krijoi objektivin e ri të krijimit të një fronti të ri joaktiv kundër Izraelit në kufirin përgjatë Izraelit dhe Sirisë”, tha Ali Alfoneh, hulumtues i lartë në Institutin e shteteve arabe të Gjirit me seli në Uashington. “Qëllimi i frontit joaktiv është që të ndërlikojë llogaritjet izraelite nëse shteti hebre vendos të bombardojë ndërtesat bërthamore të Iranit”.

Gjatë gjithë kohës, Irani i ka bërë presion Izraelit dhe SHBA-së duke ruajtur objektivin e tij kyç për të shmangur një luftë të drejtpërdrejtë, ndërkaq luftëtarët e rrjetit të tij të bashkëpunëtorëve, të cilët i ka trajnuar dhe pajisur me armë, janë përballur me shumicën e sulmeve hakmarrëse në Siri.

“Meqenëse as Siria e as Irani nuk janë të interesuara për një luftë të drejtpërdrejtë kundër Izraelit, të tria shtetet, përmes veprimeve të tyre, kanë negociuar për rregullat e lojës: aleatët e Gardës Revolucionare, sikurse afganët, gërmojnë llogore dhe tunele përgjatë kufirit me Izraelin, Izraeli bombardon pozicionet; Irani nuk kundërpërgjigjet ndaj Izraelit; dhe regjimi i Assadit qëndron si spektator”, tha Alfoneh.

“Të tre lojtarët gjerësisht iu përmbahen këtyre rregullave, të cilat janë ende në fuqi pavarësisht luftës në Gazë dhe SHBA-ja as nuk është e as nuk dëshiron të përfshihet në këtë lojë”, tha Azizi./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share