Janë bërë afro 3 javë nga vrasja e Faton Hajrizit në Serbi. Shteti serb ka konfirmuar vrasjen e Hajrizit, por që vazhdon të mbajë në morg trupin e tij.
Avokati i njohur kosovar dhe njohësi i të drejtës ndërkombëtare, Arsim Vranovci ka treguar anën ligjore të rastit.
Anëtari i Shoqatës Evropiane të Avokatëve ka thënë për Indeksonline se situata e Hajrizit është komplekse në aspektin ligjor.
“Në mungesë të një marrëveshje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, detyrimi i Serbisë për kthimin e trupit të pajetë të Faton Hajrizit rrjedh nga e drejta ndërkombëtare e shkruar dhe ajo zakonore, kryesisht nga e drejta ndërkombëtare humanitare e sanksionuar me konventat e Gjenevës. Obligimet e shteteve për raste të tilla si rasti i Faton Hajrizit, sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq theksojnë
që:
• sa herë që rrethanat e lejojnë, dhe veçanërisht pas një situate, secila palë në konflikti duhet, pa vonesë, të marrë të gjitha masat e mundshme për të kërkuar, mbledhur dhe evakuuar të vdekurit pa ndonjë dallim negativ;
• secila palë në konflikt duhet të marrë të gjitha masat e mundshme për të parandaluar dekompozimin e trupit. Gjymtimi i kufomave po ashtu është i ndaluar.
• palët në konflikt duhet të përpiqen të lehtësojnë kthimin e eshtrave të tyre të vdekur me kërkesë të palës së cilës i përkasin ose me kërkesë të personave të afërm. Ata duhet t’u kthejnë sendet e tyre personale.
• të vdekurit duhet të trajtohen në mënyrë të respektueshme dhe varret e tyre duhet të respektohen dhe mirëmbahen siç duhet.
• me qëllim të identifikimit të të vdekurve, secila palë në konflikt duhet të regjistrojë të gjithë informacionin e disponueshëm para asgjësimit dhe shënojnë vendndodhjen e varreve” ka thënë Vranovci./Indeksonline/