ZGJEDHJET PARLAMENTARE
KSHZ-ja miratoi vendimin që të mërkurën më 22 maj të ketë rivotime në gjashtë vendvotime në Njësinë e 5-të Zgjedhore dhe 1 në Njësinë e 6-të.
Rivotime do të ketë në dy vendvotime në Dollnen, dy në Krushevë dhe nga një në Ohër dhe Strugë. Rivotim do të ketë edhe në një vendvotim në Komunën e Zhelinës në Njësinë e 6-të Zgjedhore.
Seanca ishte thirrur gjatë ditës së sotme, pasi në KSHZ kishin mbërritur vendimet e Gjykatës Administrative, kurse anëtarët votuan pa prezencën e Nënkryetares së KSHZ-së, Ditmire Shehu.
Gjykata Administrative mbrëmë, i refuzoi si të pabaza të shtatë paditë e koalicionit Frontit Evropian.
Këtë vendim të gjykatës e ka përshëndetur koalicioni VLEN.
“E përshëndesim vendimin e Gjykatës Administrative, e cila është në një vijë me vullnetin të cilin qytetarët e shprehën më 8 maj. Ky vendim dëshmon edhe njëherë se shpresa për qytetarët në vend po vjen, ndërsa manipulimet dhe krimi i këtij pushteti hibrid po bie”, thone nga VLEN.
Ndryshe, në Njësinë e 6-të Zgjedhore, Fronti Evropian fitoi 9 deputetë, ndërsa VLEN – 7.
Me rivotimin në këto vendvotime cënohen dy mandate deputetësh për Frontin Evropian.
Në Njësinë e Pestë Zgjedhore cënohet deputeti I katërt në listë, Ismail Jahoskit i Frontit Evropian që mund t`i kalojë LSDM-së, kurse në Njësinë e 6-të Zgjedhore, vendi i Fatmire Isakut mund t`i takojë koalicionit VLEN./tvklan.mk