Komuniteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se spitalet në Gaza rrezikojnë që të kthehen në morgje pa energji elektrike. Në njoftimin e Kryqit të Kuq, thuhet se termocentrali i vetëm i Gazës nuk funksionon që prej të mërkurës dhe gjeneratorët rezervë mund të ndalojë së punuari brenda disa orësh.
Qendrat mjekësore janë mbingarkuar pasi Izraeli vendosi një rrethim të plotë në Gaza dhe goditi territorin me sulme ajrore dhe artilerie.
Hamasi nisi një sulm të paprecedentë në Izraelin jugor të shtunën. Izraeli është zotuar se nuk do të rivendosë energjinë elektrike ose nuk do të lejojë burimet bazë dhe ndihmën humanitare në Gaza derisa Hamasi të lirojë rreth 150 pengje që rrëmbeu gjatë sulmeve të tij të shtunën.
“Ndërsa Gaza humbet energjinë, spitalet humbasin energjinë, duke vënë në rrezik të porsalindurit në inkubatorë dhe pacientët e moshuar me oksigjen. Dializa e veshkave ndalon dhe rrezet X nuk mund të merren. Pa energji elektrike, spitalet rrezikojnë të kthehen në morgje”, tha Fabrizio Carboni, drejtori i Kryqit të Kuq për rajonin.
Ai shtoi se spitalet janë ende duke punuar me gjeneratorë, por karburanti do të zgjasë vetëm për disa orë. Spitalet në Gaza po përballen me radhë të gjata jashtë spitaleve, me persona të lënduar që presin për dhomat e urgjencës. Atyre po u mbarojnë pajisjet e nevojshme mjekësore dhe apelojnë për dhurim gjaku./tvklan.al