“Nuk do të pranojmë rolin e nxënësve, të na thotë dikush kush si duhet të zgjidhet”
Kryeprokurori publik, Lubomir Joveski ka reaguar pas deklaratave të zëvendëskryeministres për sundim të mirë, Slavica Grkovska se nuk ka arritur rezultat në pozitën aktuale dhe për këtë, nuk sheh arsye që të avancohet në gjykatës kushtetues. Në reagimin e tij me shkrim, Joveski i cilësoi si paushallë dhe të pasakta vlerësimet e Grkovskës për punën e kryeprokurorit dhe Prokurorisë Publike. Sipas tij, këto qëndrime janë ndërhyrje e drejtpërdrejt në punën e prokurorisë.
“Disa nga deklaratat e saja, me sa duket personale, nënkuptojnë ndërhyrje direkte në punën e Prokurorisë Publike dhe e rrezikojnë pavarësinë e saj. Politika e sundimit të mirë në thelb duhet ta respektojë ndarjen e pushtetit dhe sundimit të së drejtës. Përpos kësaj, në paraqitjen publike, nuk u tha asnjë argument relevant për të mbështetur vlerësimet e këtilla personale. Është e drejtë dhe e dobishme nëse zëvendëskryeministrja, para se të deklarojë vlerësime personale për punën, të vizitojë Prokurorinë Publike dhe të njihet me gjendjen reale dhe me sfidat në luftën kundër krimit”, thuhet nē reagimin e Kryeprokurorit Jovevski.
Joveski më tej ka shkruar se, si prokuror publik, por edhe në emër të prokurorëve të tjerë publik, nuk do të pranojnë rol të nxënësve në të cilin dikush do t’u thotë kush duhet të përgjigjet dhe as të tregojë se kush, ku dhe si duhet të zgjidhet.
“Ndoshta është mendim i imi personal se, do të ishte më mirë dhe më e leverdishme nëse mjetet e ndara financiare për funksionin e kabinetit për politika për sundim të mirë të shfrytëzohen për luftë më efikase kundër korrupsionit, në vend se të harxhohen për debate dhe konferenca me efekt të papërfillshëm, por si bartës i funksionit Prokuror Publik, nuk kam të drejtë të promovojë publikisht këtë tezë personale, pasi Qeveria ka vlerësuar se nevojitet një trup i tillë. Disa herë kam kërkuar dhe kam insistuar që të gjithë aktorët politike dhe të tjerë t’i largojnë duart nga prokuroria”, thuhet në reagim.
Zëvendëskryeministrja Grkovska, mbrëmë gjatë një emisioni në TV Telma, deklaroi se, Jovski nuk duhet të jetë gjykatës kushtetues. Ajo po ashtu, kritikoi edhe zgjedhjen e shefit të ri të Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke thënë se është shkatërruese ajo që prokurorët nuk kanë integritet të vendosin në mënyrë të pavarur./KlanMacedonia
Përgatiti: Teuta Buçi