ISUFAJ: ASNJË AKTAKUZË PËR SULMIN TERRORIST NË BANJSKË
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, e ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë një javë më parë se Prokuroria e Shtetit nuk ka ngritur aktakuza të shumta për sulmin në Banjskë të Zveçanit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, lidhur me akuzat e tij se sistemi i drejtësisë nuk ka ngritur ende asnjë aktakuzë për sulmin terrorist në Banjskë.
Isufaj ka thënë se nuk është çështje e kryeministrit se kur ngritën aktakuzat e kur pushojnë hetimet.
“Nuk është çështje e tij ngritja e aktakuzave. Është çështje e sistemit të drejtësisë. Ne aktakuzat i ngrisim kur i kryejmë hetimet, kur kemi prova. Nuk mund të na tregojë kurrkush kur duhet të ngrisim aktakuzë e kur duhet të pushojmë hetimet”, ka thënë Isufaj.
Isufaj ka pranuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit, por ka thënë se s’mund t’i bëjë publike arsyet për shkak të hetimeve.
Ai ka thënë se urdhërarresti pastaj është rikthyer dhe po vazhdojnë hetimet.
“Unë e kam dhënë pëlqimin. Arsyet nuk mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, janë çështje të hetimit. Sa i përket udhërarrestit ndaj Radoiçiçit, ai është komplet çështje e brendshme e Prokurorisë, të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për rastet që ne i trajtojmë. Ai s’ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërhequr për një kohë urdhërarresti, i cili në ndërkohë iu ka rikthyer”, tha Isufaj.
Më 19 shkurt 2021, Prokuroria Speciale kishte kërkuar revokimin e urdhërarrestit ndaj Radocicit ndërsa gjykata e kishte aprovuar këtë kërkesë më 23 shkurt 2021. Urdhërarresti ishte lëshuar në gusht të 2020-ës nën dyshimin se Radoiçiç ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.