Kryeministri Xhaferi në vizitë pune në Tiranë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, prej sot, 28 shkurt, është në vizitë pune në Tiranë, Republikën e Shqipërisë.

Në përbërjen e  delegacionit qeveritar janë edhe Bojan Mariçiq, zëvendësi i parë i Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si edhe Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme dhe Filip Nikoloski, zëvendës ministër i Financave.

Kryeministri Xhaferi do të marrë pjesë dhe do të mbajë fjalim në Samitin Rajonal për Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, në fokusin e të cilit është Plani për rritjen e Ballkanit Perëndimor i miratuar nga Komisioni Evropian. Në Samit do të diskutohet për avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe realizimin e Tregut të përbashkët rajonal si proces i përfshirjes graduale në Tregun e vetëm Evropian. Kryetari i Qeverisë, Xhaferi është paraparë të mbajë fjalim në Panelin “Hyrja në tregun e vetëm”.

Në Samitin rajonal për Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, që është vazhdim i takimit të muajit të kaluar në Shkup, janë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe Komisionari për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit i BE-së, Oliver Varheji.

Gjatë vizitës në Tiranë, Kryeministri Xhaferi, do të takohet edhe me Presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski, me ç’rast është planifikuar nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës për integrimin euroatlantik të Ukrainës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share