Kryeministri Edi Rama do të mbajë ditën e sotme në 11:00 me orën lokale takimin me shqiptarët që jetojnë në Selanik të Greqisë.
Ndryshe nga takimi i parë me shqiptarët në Greqisë i mbajtur në stadium, ky i Selanikut do të mbahet në hotelin “Porto Palace”. Televizioni Klan ka mësuar se në këtë takim do të marrin pjesë rreth 2500 persona.
Formati i takimit do të jetë i njëjtë si i takimit të mbajtur së fundmi me emigrantët shqiptarë në New York të SHBA-së, ku do të flasë vetëm kryesocialisti Edi Rama dhe më pas ai do t’i përgjigjet pyetjeve nga të pranishmit.
Ky do të jetë takimi i dytë i Ramës me shqiptarët, pas miratimit të ligjit për të drejtën e votës së emigrantëve në zgjedhjet parlamentare, të drejtë që do ta ushtrojnë atje ku jetojnë e punojnë.
Sakaq nacionalistët grekë kanë paralajmëruar se po përgatiten për një antimiting. Ai do të udhëhiqet nga kryetari i Partisë Ultranacionaliste Greke, Dimitris Valasidis. Ndërsa janë bërë gati edhe fletushkat që do të hidhen përpara hotelit ku Rama do të zhvillojë takimin me mbishkrimin “Liri për Vorio Epirin”./tvklan.al