Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite zyrtare në Turqi, ka takuar pjesëtarë të mërgatës, studentë dhe përfaqësues të shoqatave shqiptare nga Stambolli, Izmiri, Bursa dhe Manisa. Në këtë takim, Kurti ka diskutuar për indikatorët ekonomikë që tregojnë rritjen e investimeve të huaja, eksporteve, të hyrave tatimore dhe nivelit të punësimit.
Kryeministri ka theksuar se Kosova ofron një mjedis të favorshëm për investime, duke përfshirë çmimin e lirë të energjisë elektrike, fuqinë punëtore profesionale, besimin në institucionet publike, politikat fiskale dhe vlerësimin e saj të parë kreditor sovran nga Fitch Rating.
Ai ka bërë thirrje për të hulumtuar mundësitë që ofron Kosova dhe të investojnë aty. Gjithashtu, Kurti ka shprehur mirënjohjen për kontributin e mërgatës në ruajtjen e raporteve të mira dhe krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Në tubimin e Izmit, ai ka takuar edhe kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Cemil Tugay.