Ushtria e Kosovës është pajisur me dronë Bayraktar të blerë nga Turqia.
Kështu ka konfirmuar kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka prezantuar disa prej tyre.
“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare”, ka pohuar Kurti.
Kryeministri tutje ka thënë që bashkë me komandantin e FSK-së, gjenerallejtnant Bashkim Jashari, dhe ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj, kanë përgëzuar oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.
Ndryshe, dronët inteligjentë janë sulmues pa pilotë, që kontrollohen nga një bazë tokësore.
Dronët Bayraktar, TB2, hyjnë në mesin e armëve që kanë qëndrueshmëri të gjatë në lartësi të mesme (MALE), me rekord fluturimi deri në 27 orë e 3 minuta dhe përveç sulmeve të armatosura kanë për funksione kryesore misionet e inteligjencës, vëzhgimin dhe zbulimin.