Kryeministër shqiptar në RMV/ Rama: Ajo që ka bërë Ali Ahmeti, leksion historik për të gjithë ne

Kryeministri Edi Rama e konsideron një arritje historike që për herë të parë Maqedonia e Veriut do të ketë një Kryeministër shqiptar, edhe pse për pak kohë me mandatin e një qeverie tranzitore.

Dhe këtë meritë, kreu i qeverisë shqiptare ia atribuon Ali Ahmetit, për të cilin thotë se ka bërë shumë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Rama e vlerëson si një leksion historik ndaj të gjithëve dhe brezave të ardhshëm, sjelljen e Ali Ahmetit në politikën maqedonase për të drejtat e shqiptarëve në atë shtet.

“Ali Ahmetit mund t’i bëhen kritika plot brenda vendit, sepse është e drejta dhe detyra e kujtdo që është në opozitë të kërkojë më shumë nga kushdo që është në pushtet. Por çka ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj, e për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një leksion historik për të gjithë ne dhe brezat që vijnë! E duke parë foton bashkëngjitur të një momenti historik në rrugën e bashkësisë shqiptare, m’u kujtua fjala e mençur e një politikani të madh, “Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”; kjo do të ishte diçiturë perfekte për këtë foto”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama në Facebook.

Talat Xhaferi pritet që nesër të votohet si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut sipas një marrëveshje të bërë më herët mes partisë shqiptare BDI të Ali Ahmetit dhe partisë maqedonase LSDM, të cilat janë në koalicion së bashku./tvklan.al

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share