Kryediplomati i sapoemëruar izraelit thotë se krijimi i shtetit palestinez nuk është ‘realist’

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar hodhi poshtë të hënën krijimin e një shteti palestinez si një qëllim “realist”, në mes të luftës së vazhdueshme në Rripin e Gazës.

“Unë nuk mendoj se ky pozicion është realist sot dhe ne duhet të jemi realist”, ka thënë ministri i sapoemëruar në përgjigje të një pyetjeje mbi krijimin e një shteti palestinez në këmbim të një normalizimi të lidhjeve midis Izraelit dhe vendeve arabe.

Një shtet palestinez do të ishte “një shtet i Hamasit”, shtoi Saar, duke iu referuar grupit militant palestinez në Gaza me të cilin Izraeli ka qenë në luftë për më shumë se një vit.

Përpjekja e normalizimit ishte pjesë e Marrëveshjes së Abrahamit të vitit 2020, e mbikëqyrur nga Donald Trump dhe procesi mund të rifillojë pasi ai të kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të javës së kaluar në SHBA.

Ndërsa ai foli në Jerusalem, liderët arabë dhe myslimanë u mblodhën në Arabinë Saudite për një samit që trajtonte luftërat në Gaza dhe Liban, ku Izraeli po lufton gjithashtu aleatin e Hamasit, Hezbollahun.

Ministria e jashtme saudite njoftoi planet për samitin në fund të tetorit gjatë një takimi, gjithashtu në Riad, të një “aleance të re ndërkombëtare” për të bërë presion për krijimin e një shteti palestinez.

Lufta në Gaza shpërtheu me sulmin e pashembullt të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor të vitit të kaluar, i cili rezultoi në 1206 të vdekur, kryesisht civilë, sipas një raporti të AFP-së të shifrave zyrtare izraelite.

Fushata hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 43,603 njerëz në Gaza, shumica prej tyre civilë, sipas të dhënave nga ministria e shëndetësisë e territorit që Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme.

Hezbollahu me bazë në Liban, i cili ashtu si Hamasi mbështetet nga Irani, filloi të qëllonte kundër Izraelit pas sulmit të 7 tetorit.

Shkëmbimet e rregullta ndërkufitare u përshkallëzuan në fund të shtatorit kur Izraeli intensifikoi sulmet ajrore dhe dërgoi trupa tokësore në Libanin jugor. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share