Kroacia nuk i trembet Brazilit

Mbrojtësi Lovren dhe mesfushori kovaçiç vlerësojnë futbollistet verdhejeshile, por besojnë te suksesi

Mbrojtësi i Kroacisë Dejan Lovren dhe mesfushori Mateo Kovacic janë gati për përballjen kundër Brazilit, edhe pse rivalët e tyre në çerekfinalen e Kupës së Botës dallohen për lojtarët cilësorë në përbërje.

Ballkanasit synojnë që të shkojnë për herë të dytë radhazi në gjysmëfinale, por ndaj verdhejeshilëve, të cilët shikohen si një ndër favoritët e turneut nuk ka për të qenë aspak e lehtë.

 “Brazili ishte ekip favorit përpara turneut. Ata kanë dy ekipe që mund të luajnë në këtë nivel të lartë. Çdo lojtar stoli i tyre është i aftë të ndryshojë ndeshjen nëse futet në lojë. Ne respktojmë këdo e kështu punojmë”, është shprehur Dejan Lovren, mbrojtësi i Kroacisë.

Kroacia e drejtuar nga trajneri Zlatko Daliç nuk e ka pasur të lehtë rrugëtimin deri në çerekfinale ndërsa në sfidën e shkuar eliminoi Japoninë me penallti.  Mesfushori Kovaçiç beson se kombëtarja e tij mund të luajë edhe më mirë.

 “Unë mendoj se Brazili është gjithnjë favorite në Kupën e Botës, por jo vetëm ata. Ka edhe kombëtare të tjera mjaft të forta e ka më shumë se një ekip favorit. Jemi të përqendruar te vetja, në lojën tonë dhe se si të japim më të mirën në ndeshje”, ka thënë mesfushori i Kroacisë Mateo Kovaçiç.

Për Kroacinë do të jetë e vështirë që të kontrollojë topin ndaj Brazilit, me trajnerin Tite që pritet të hedhë në fushë lojtarët e tij më të mirë.

Ndërkohë që edhe mbrojtja e nënkampionëve të botës është e përgatitur për të bllokuar yjet verdhejeshilë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share