Kroaci: Kuna shkon, Euro vjen

Tre studentë dizajnuan monedhat kroate të euros dhe promovuan Evropën në Kroacinë euroskeptike. Euro do të futet në Kroaci zyrtarisht më një janar 2023, ndonëse ende ka skeptikë.

Mëngjes i ngrohtë në Zagreb. Banorët e kryeqytetit kroat po ecin me shpejtësi nëpër rrugë. Shumë prej tyre blejnë shpejt e shpejt diçka për nevojat e ditës dhe vazhdojnë rrugën. Tre studentët Jagor Sunde, Fran Zekan dhe David Cemeljiq ulen në një kafene në qendër të qytetit dhe shikojnë rrëmujën.

Dy burra po paguajnë në tavolinën pranë tyre. Prej disa kohësh tre studentët kanë një shikim të veçantë kur shohin monedhat kroate. Monedha kombëtare kuna do të zëvendësohet së shpejti me futjen e euros si mjet pagese në përdorim. Jagori, Frani dhe Davidi kanë kontribuar shumë për ndryshimin e monedhës në mënyrën e tyre. Ata kanë dizajnuar monedhat kroate euro dhe kanë fituar garën në konkursin e Bankës Kombëtare Kroate (HNB).

Mendimet e kundërta

Më 1 janar 2023 do të bëhet ndryshimi i madh: Kroacia do të aplikojë zyrtarisht euron si monedhën zyrtare dhe do të bëhet anëtarja e 20-të e Eurozonës. BE më në fund dha dritën jeshile për këtë në mesin e korrikut 2022. Por ky hap është i diskutueshëm në Kroaci.Shumë njerëz janë të shqetësuar dhe kanë frikë nga efektet negative si rritja e çmimeve. Opozita e konsideron të gabuar vendimin dhe mendon se duhet të priten rrethana më të mira, sepse ekziston frika që BE-ja do të rrëshqasë në ndonjë krizë tjetër të thellë. Sipas Eurobarometrit, vetëm rreth 55 përqind e njerëzve në Kroaci e mbështetën futjen e euros këtë vit – që është dukshëm më pak se në vitet e mëparshme.

Nëse shikojmë gjërat sipas mendimit të studentëve Sunde, Zekan dhe Cemeljiq, futja e euros është një hap në drejtimin e duhur, pavarësisht problemeve aktuale. Të tre ata duan që Kroacia të integrohet plotësisht dhe ekonomikisht në BE.

Vizioni i realizuar

Sunde shpjegon se çfarë do të thotë BE për të: “Bashkimi Evropian duhet të jetë një tempull që na mundëson të ruajmë historinë tonë, vlerat e ndryshme kulturore të kombeve dhe në të njëjtën kohë konkurrencën e ekonomive tona në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Ky është vizioni që ne ëndërrojmë, hapat e parë drejt realizimit të tij janë integrimi monetar dhe hyrja në zonën Shengen”.

22-vjeçari është një i ri i zgjuar, i cili ka lexuar për ekonominë kroate dhe politikën monetare evropiane. Ai është duke studiuar arkitekturë dhe urbanizëm në Universitetin e Zagrebit. Në pranverë ai kishte dëgjuar se Banka Kombëtare HNB po fillonte një konkurs të ri për të dizajnuar monedhat kroate të euros pasi dizajni i parë fitues ishte objekt i shkeljes së të drejtave të autorit. Pas disa hezitimeve, Sunde vendosi të marrë pjesë dhe mori dy shokë të shkollës në bord: Zekan dhe Cemeljiq, të dy 21 vjeç.

“Jemi krenarë”

Për ditë të tëra ata punuan në një draft, e digjitalizuan, e optimalizuan, bënë printime testuese me një printer 3D derisa rezultati të ishte sipas dëshirës së tyre. Monedha e tyre euro është zbukuruar me elemente minimale të kunës dhe simboleve kombëtare. Shumë kroatë duhet të pëlqejnë faktin që kuna mbetet në një farë forme në euro. Emri ka një traditë të gjatë që shkon deri në mesjetë.

Për habinë e tyre, tre studentët fituan tenderin. Ata ishin të lumtur: “Na bënë krenarë të dimë se puna jonë ka kontribuar për të ardhmen e vendit dhe shoqërisë sonë”, thotë 21-vjeçari Fran Zekan.

Frika nga inflacioni

Euro nuk është në fakt asgjë e re për qytetarët kroatë. Në vend, shumë kursime të popullsisë janë bërë në euro prej vitesh. Blerjet e mëdha bëhen dhe llogariten në monedhën evropiane. Megjithatë, sipas Eurobarometrit të qershorit 2022, 81 përqind e popullsisë janë të shqetësuar se kostoja e jetesës do të rritet sapo niveli i çmimeve të përshtatet me Eurozonën. Në të njëjtën kohë, shumë njerëz janë të shqetësuar nga fakti se politika monetare kroate po humbet pavarësinë e saj si rezultat i euros.

Ognian Zlatev, përfaqësuesi i Komisionit Evropian në Kroaci, nuk mendon kështu. Prapa shpinës së tij, në një dhomë me ajër të kondicionuar të Komisionit të BE-së në Zagreb, gjenden flamujt e Kroacisë dhe BE-së, të cilët në këtë mënyrë synojnë të demonstrojnë unitet dhe kohezion. Çfarë mendon ai për frikën e popullatës për këmbimin e valutës? Zlatev përdor shembullin e Sllovakisë. Kur ata u bashkuan me Eurozonën, çmimet në fakt u rritën, por vetëm deri në dy përqind. “Ishte një efekt që u zhduk shumë shpejt”, thotë Zlatev.

Nuk ka automatizma

Procesi i futjes së euros nuk mund të ndalet më. Kroacia ka marrë vendimin, sado që mendimet e popullsisë janë të ndara. BE dhe Banka Kombëtare Kroate HNB besojnë se Kroacia është e përgatitur mirë për ndryshimin. Deri në vitin 2024 çmimet do të jenë në vlerën e të dy monedhave, që të mos ketë keqpërdorime në shitjen me pakicë.

Sunde, Zekan dhe Cemeljiq e dinë se futja e euros sjell avantazhe dhe disavantazhe. Problemet ekonomike nuk do të zhduken ndërsa rritja ekonomike nuk do të vijë automatikisht, thotë Sunde. “Vendet nuk mund të presin një të ardhme më të mirë thjesht vetëm duke futur në përdorim një monedhë tjetër. Për ta bërë këtë, ata duhet të ndërmarrin hapa të qartë të politikës ekonomike për të mirën e qytetarëve të tyre,” thotë ai.

BE nën presion

Ndërkohë shtrohen edhe shumë pyetje të tjera për të tre studentët: Si mund të përballojë Evropa sfidat ekstreme në politikën financiare dhe monetare? Në fund të fundit, çmimet në Eurozonë po rriten me shpejtësi rekorde. Në korrik 2022, ato ishin 8,9 përqind më të larta krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, siç njoftoi zyra e statistikave Eurostat në fund të korrikut.

Jagor Sunde përgjigjet: “Tani po përjetojmë që një komunitet i themeluar vetëm mbi interesa ekonomike mund të mos mbijetojë përgjithmonë në formën e tij aktuale. Tani është më e rëndësishme se kurrë që të ndërtohen ura midis vendeve, kulturave dhe njerëzve që na lidhin dhe forcojnë.” Zekani dhe Cemeljiq tundin kokën në shenjë dakordësie ndërsa rrëmojnë në xhepa për të nxjerrë kunat në tavolinë dhe për të paguar pijet. Shumë shpejt ata do të paguajnë vetëm me euro./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share