Çmimi i banesave në Maqedoninë e Veriut po rritet në mënyrë ekstreme gjatë krizës, por duket se nuk ka shumë ndikim as në ofertë, as në kërkesë.
Ndërtesat e reja vazhdojnë të ndërtohen, ndërsa kërkesa për banesa të reja në pjesët atraktive të Shkupit, si dhe në qendrat turistike si Ohri dhe Strugë nuk zbehet.
Në dy qytetet turistike, metër katrori për një banesë ka arritur deri në 2500 euro.
Statistikat e fundit konfirmojnë se oferta me apartamente ka përmbushur prej kohësh kërkesën, por pavarësisht kësaj, ende po ndërtohen dhe blihen apartamente të reja.
Mbi 307.187 ose 36.6% e banesave janë bosh, ndërsa 531.987 ose 63.4% janë të banuara, sipas të dhënave nga Censusi i fundit i vitit 2021 të Entit Shtetëror të Statistikave.
Një pjesë e apartamenteve janë liruar për shkak të largimit nga qyteti, ndërsa të tjerat janë blerë si investim.
Më së shumti banesa për “rezervë” janë blerë në kryeqytet – 59.300, kurse më atraktive janë komunat e Shkupit, Qendër dhe Karposh, ku janë mbi 20 mijë banesa pa qiramarrës.
Sipas statistikave, Ohri ka 17.820 banesa bosh, ndërsa në Strugë 10.153.
Në Manastir, nga ana tjetër, janë regjistruar 16.063 banesa të pabanuara.