Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, do të fillojë këtë të hënë konsultimet zyrtare me partitë politike për dhënien e mandatit për përbërjen e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 11 Qershorit.
“Ne duhet të kemi një qeveri të qëndrueshme dhe evropiane sa më shpejt të jetë e mundur ndaj duhet përgjegjësi dhe seriozitet të mjaftueshëm nga të gjitha anët e spektrit politik”, tha Milatoviç para negociatave.
Drejtuesi i Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, do të jetë i pari që do të shkojë tek presidenti Milatoviç.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, Lëvizja Evropa Tani e udhëhequr nga Spajiç ka arritur që të dalë parti e parë duke fituar numrin më të madh të deputetëve, 23 nga 81 gjithsej të që ka në përbërje parlamenti malazez.
Këto mandate janë të pamjaftueshme për lëvizjen politike të Spajiç për të formuar e vetme qeverinë, pasi asaj i duhen së paku 41 deputetë që të krijojë shumicën e thjeshtë parlamentare. Kriza politike ne Malin e Zi u reflektua edhe të enjten e kaluar gjatë konstituimit të parlamentit të ri ku nuk u arrit të zgjidhet kryeparlamentari i ri.
Zgjedhja e kryetarit u shty për një seancë të re të parlamentit pasi në shërbimin e parlamentit nuk u paraqit asnjë kandidat. Kriza e tejzgjatur politike ka lënë në pushtet si kryeministër Dritan Abazoviçin që në parlament zotëron 12 mandate.
Abazoviç u ka kërkuar prokurorëve të hetojnë pretendimet se tregtari i arratisur i kriptomonedhave nga Koreja e Jugut Do Këon kishte marrëdhënie financiare me Milojko Spajiç të cilit i ka financuar fushatën.
Pas akuzave të Abazoviç drejtuar Spajiç ky i fundit ka përjashtuar mundësinë për bisedime me Lëvizjen Ura.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste e Demokratëve, ish partia e Milo Gjukanoviçit, është renditur forca e dytë, me 21 mandate, e pasur nga koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” me 15.
Spajic po negocion me koalicionin “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb. Spajiç u ofroi atyre edhe dy poste të nënkryetarëve në Kuvendin malazez.
Lideret pro serbë Mandiç dhe Knezheviç kanë kërkuar pozitën e Kryetarit të Kuvendit dhe ministrinë e Transportit dhe të Energjisë në qeverinë e ardhshme.
Edhe pakicat kombëtare në Mal të Zi kanë marrë një numër të konsiderueshëm mandatesh. Boshnjakët në përbërjen e re të parlamentit malazez do të përfaqësohen me 6 deputetë, ndërsa shqiptarët me 3, 2 prej tyre i ka fituar Forumi Shqiptar – i kryesuar nga kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, kurse një mandat e kanë marrë edhe kroatët.
Pakicat kombëtare do të jenë vendimtare në fatin e krijimit të qeverisë së re malazeze në të kundërt në vjeshtë zgjedhësit mund t`ju drejtohen sërish kutive të votimit.
Klan News