“Kriza e ujit” në lagjen Prohor Pçinski në Tetovë, banorët e zhgënjyer! Drejtori Zeqiri premton zgjidhje të menjëhershme

Gati dy muaj banorët e lagjes Prohor Pçinski në Tetovë po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Pavarësisht ankesave dhe kërkesave të tyre të vazhdueshme, situata mbetet e pandryshuar. Ata shprehin zhgënjimin për mungesën e reagimit nga Komuna e Tetovës dhe kryetari Bilall Kasami. Banorët e lagjes janë të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe kërkojnë veprim të menjëhershëm nga autoritetet lokale. Ata po hasin në vështirësi të mëdha për të siguruar edhe nevojat më themelore, si furnizimi me ujë për konsum, pastrim dhe higjienë personale. “Është turp që në shekullin XXI, të përballemi me këto kushte në një qytet si Tetova,” deklarojnë banorët e kësaj lagje.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës, përkatësisht Ndërmarrja për Ujësjellës dhe Kanalizim “Sharri”, përmes një kumtese për Klan M, ka bërë të ditur se janë në dijeni të problemit dhe se po punohet për një zgjidhje. Ata theksojnë se problemi ka lindur pasi dikush ka dëmtuar furnizuesin kryesor të ujit për atë lagje. Edhe pse problemi ekziston tash me dy muaj drejtori i ndërmarrjes, Valon Zeqiri, ka deklaruar se menjëherë janë dërguar ekipe në terren.

“Në disa lagje të Tetovës, përfshirë Prohor Pçinski, Drenovecin dhe Kolltukun, janë raportuar ndërprerje të furnizimit me ujë për shkak të problemeve të ndryshme teknike dhe ndërhyrjeve të paautorizuara nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Rruga që ndodhet në nivelin e rezervuarit shkakton humbje hidrodinamike, ndërsa sistemi i dobët i ujësjellësit me profile të vogla dhe lidhjet “shtëpi më shtëpi” kanë komplikuar më tej furnizimin .Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) ka reaguar me planet për të zbutur situatën. Ekipet janë angazhuar në terren për të kryer investigime të detajuara dhe është planifikuar zgjerimi i tubacionit nga 100 mm në 225 mm për një gjatësi prej afërsisht 100 metrash mbi lumin e Shkumbinit. Kjo ndërhyrje pritet të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë për këto lagje. thonë nga NPK “Sharri”

Tetova vazhdon të përballet me probleme të infrastrukturës bazë, ndërsa për shumë qytetarë furnizimi me ujë të pijshëm mbetet një luks. Banorët e lagjes Prohor Pçinski thonë se nuk do të ndalen derisa të sigurohet një zgjidhje e qëndrueshme dhe dinjitoze për jetesën e tyre. Ata shpesh ndihen të diskriminuar, duke pasur parasysh se shumica e banorëve të kësaj lagjeje janë të përkatësisë etnike Rome, dhe Komuna nuk po merr masat e nevojshme. /tvklan.mk

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share