Kriza e emigracionit përfshin Spanjën

Mbi 23 mijë emigrantë të paligjshëm kanë mbërritur në ishujt Kanarie, qeveria premton 50 milion Euro për të përballuar fluksin

Spanja po përballet me një numër rekord emigrantësh të paligjshëm. Rasti me i fundit ka qenë të Enjten në mbrëmje kur 59 emigrantë që po përpiqeshin të arrinin në Ishujt Kanarie u shpëtuan nga roja bregdetare.

Dyzet e shtatë burra, 11 gra dhe një foshnjë u gjetën në ujrat spanjolle pesë milje larg Gran Canaria, kur u shpëtuan nga ekuipazhi i anijes së rojes bregdetare Macondo.

Deri në 15 Tetor të këtij viti mbi 23,537 emigrantë kanë mbërritur në Ishujt Kanarie, një rritje prej 80% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, tregojnë të dhënat nga ministria e Brendshme e Spanjës. Shtatë ishujt e arkipelagut janë bërë destinacioni kryesor për emigrantët nga Senegali dhe vendet e tjera afrikane që përpiqen të arrijnë në Spanjë.

Qeveria spanjolle po përgatit një paketë ndihme prej 50 milionë Euro për të ndihmuar Ishujt Kanarie që po përballen me një fluks të jashtëzakonshëm emigrimi. Ndihma do të mbështesë gjithashtu më shumë se 4,000 fëmijë dhe adoleshentë të pashoqëruar nën kujdesin e autoriteteve lokale.

Gjatë një vizite në El Hierro, ishulli më perëndimor dhe më i vogël në Spanjë, ministri i Migracionit Jose Luis Escriva deklaroi se situata është e paprecedentë. Ishujt Kanarie është vendi ku zbarkojnë një pjesë e madhe e migrantëve të cilët vijnë nga vendet e konfliktit, për një jetë më të mirë në Europë, por kjo rrugë është ndër më vdekjeprurëset në botë. Të paktën 559 njerëz përfshirë 22 fëmijë humbën jetën në vitin 2022 në përpjekjet për të arritur në Ishujt Kanarie, sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin e OKB-së.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share