Kriza e çmimeve, rritet numri i vjedhjeve të mishit, alkoolit dhe ëmbëlsirave në dyqanet e Britanisë

Teksa kostot e jetesës rriten, britanikët po i kthehen krimit. Sipas disa të dhënave të publikuara së fundmi, në vend është rritur numri i vjedhjeve të mishit, alkoolit dhe ëmbëlsirave në dyqane, krahasuar me një vit më parë.

Këto po ashtu, janë shifrat më të larta të raportuara në një dekadë.

Më shumë se 1.1 milion incidente vjedhjesh u regjistruan në vitin 2022, nga 970,000 që ishin regjistruar një vit më parë. Raporti është bërë publik nga Shoqata e Dyqaneve.

James Lowman, shefi ekzekutiv i ACS, i cili përfaqëson dyqanet e vogla në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, tha numri i vjedhjeve që po ndodhin çdo ditë është i paprecedentë.

“Hajdutët, që njihen tashmë nga komuniteti dhe policia, po vjedhin pa frikë nga ndëshkimi,” shtoi ai.

Numri i personave që po kryejnë krime në përgjigje të asaj që është cilësuar si kriza me e rëndë e kostove të jetesës për brezat e fundit është në rritje teksa një numër i madh familjesh po luftojnë për të përballur blerjen e artikujve bazë ditorë me çmime të rritura, raporton Financial Times.

Raporti vjen në një kohë kur të shifra të publikuara të mërkurën treguan se inflacioni mbeti në 8.7 për qind në maj, nga 8.4 për qind që pritej, duke rritur presionin mbi Bankën e Anglisë për të rritur normat e interesit.

Rritja e aktivitetit të bandave dhe njerëzit me probleme të varësisë që vjedhin për të “ushqyer” veset e tyre kanë nxitur shkallën e krimit, thuhet në raport.

Ndërkohë, dyqanet kanë kufizuar numrin e artikujve në rafte muajt e fundit për të zvogëluar rrezikun e vjedhjes së artikujve, si dhe duke shtuar etiketa sigurie në artikujt ushqimorë si biftekët, djathi apo gjalpi.

Pothuajse 80 për qind e shitësve me pakicë të anketuar nga ACS, e cila ka rreth 48,000 anëtarë, thanë se kriza e kostos së jetesës ishte nxitëse e vjedhjes. /EO

Lexo gjithashtu
Total
0
Share