Politika shqiptare uron Krishtlindjen për të gjithë besimtarët katolikë. Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale Rama ka bërë urimin e tij për të gjithë besimtarët ku si kartolinë zgjodhi një ikonë të saporestauruar, që vjen si dëshmi arti dhe besimi që prej shek. XVII.
“Mirëmëngjes, dhe me këtë ikonë të saporestauruar, që na vjen si dëshmi arti dhe besimi që prej shek. XVII, ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë, Gëzuar Krishtlindjen”, shkruan Rama.
Një urim pati edhe Presidenti i vendit, Bajram Begaj. Ndër të tjera ai ka përcjellë edhe një mesazh për besimtarët.
“Krishtlindja, kjo festë e ndritur që simbolizon lindjen e shpresës dhe paqes, na fton të ndalemi për një çast e të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit: dashurinë, solidaritetin, mirëkuptimin dhe faljen”, shkruan mes të tjerash Begaj.
Lindja e Krishtit mblodhi mesnatën e të martës në katedralen e Palit në Tiranë me qindra besimtarë të Krishterë.
Ky kremtim është jubile dhe Papa Françesku në Romë hapi Portën e Shenjtë e Bazilikës së Shën Pjetrit dhe shpalli zyrtarisht fillimin e vitit të shenjtë./tvklan.al