Mesha e mesnatës së Krishtlindjes së këtij viti nisi me hapjen nga Papa Françesku të portës së shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, kalimi i së cilës simbolizon shpresën dhe faljen e mëkateve për besimtarët dhe shënon nisjen e vitit të shenjtë jubilar 2025 për Kishën Katolike.
Në mesazhin solemn të meshës tradicionale përpara mijëra besimtarëve pjesëmarrës, Ati i Shenjtë u bëri thirrje të krishterëve në mbarë botën, të vihen në lëvizje për t’iu dhënë fund vuajtjeve.
Papa Fançesku: Ka kaq shumë shkretim në këtë kohë. Kini parasysh luftërat, fëmijët që qëllojnë me mitraloz, bombardime shkollash e spitalesh. Ndaj mos vononi të ndiqni lajmin e mirë. Shpresa e të krishterëve nuk është fund i lumtur që vjen duke pritur, por një premtim i Zotit që duhet mirëpritur.
Mesazhe shprese dhe lutje për fundin e luftës në Rripin e Gazës u bënë në meshën e Kishës së Lindjes në Betlehem, qytetin ku mendohet se ka lindur Jezu Krishti. Ndërsa në Rripin e Gazës, pjesën tjetër të territorit palestinez, kishat janë shndërruar në strehimore për të pastrehët e mbetur nga lufta.
Në Damask, kjo ishte e para Krishtlindje në liri, pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit. Ndërsa në Sidnej të Australisë, banorët e festojnë Krishtlindjen në plazh me kostume banje të kuqe. Me kostume babagjyshësh bëhet sërf edhe në Florida.
Tv Klan