“Kriminel”, Blendi Fevziu për vrasjen e Liridonës: Naim Murseli dukej njeri i kulturuar, tentova t’i gjej numrin e telefonit për ta ngushëlluar. U trondita kur

Gazetari dhe moderatori i emisionit “Opinion” në Tv Klan, Blendi Fevziu, ka bërë një reagim në rrjetet sociale në lidhje me vrasjen e Liridona Murselit që ka tronditur opinionin publik në Kosovë e Shqipëri.

Fevziu tregoi se fillimisht mbeti i trishtuar kur pa se bashkëshort i viktimës në atë që fillimisht u raportua si grabitje e shkuar keq ishte Naim Murseli, pasi e kishte takuar disa vite më parë në Prishtinë. Ai tregon se 33-vjeçari i kishte dhënë përshtypjen e një njeriu të kulturuar e të sjellshëm. Për këtë arsye tentoi që t’i gjente numrin e telefonit për t’i dërguar një mesazh ngushëllimi për këtë ngjarje të rëndë.

Por Fevziu rrëfeu se është tronditur kur policia e arrestoi dje atë për vrasjen e bashkëshortes. Sipas tij, është e vështirë të gjesh një arsye pse ai e bëri këtë krim, por një gjë është e sigurt, që çdo person që kryen një akt të tillë, meriton të quhet vetëm “kriminel”.

“Pak ditë më parë, lexova në mediat online një lajm i cili ishte tejet i trishtë. Një grua e re kishte humbur jetën në sy të dy fëmijëve dhe bashkëshortit në një tentativë grabitjeje në rrugët e Prishtinës. Mu duk një lajm pak i çuditshëm për Prishtinën e cila sigurinë e ka në nivele shumë të larta, por u trondita akoma më shumë kur pashë fotografinë e çiftit. Në krah të gruas së ndjerë, pashë fotografinë e bashkëshortit, i cili ishte një personazh me të cilin sa kujtoj jam përshëndetur diku në një nga hotelet e Prishtinës disa vite më parë. Më kishte bërë përshtypjen e një njeriu të kulturuar, të sjellshëm që më tregoi se ishte emigrant në Suedi dhe se e donte shumë Kosovën dhe se njihte të gjithë elitën e Kosovës. Kur pashë fotografinë e djalit dhe ndjeva një trishtim tejet të madh tentova t’i gjeja numrin e telefonit për t’i dërguar një ngushëllim për t’i thënë që të bëhej i fortë për të rritur dy fëmijët e mbetur jetimë, për t’u munduar që ata të kishin sa më pak trauma nga vdekja e nënës përpara syve të tyre. Por dje lexova që policia e Kosovës kishte identifikuar si organizatorin të vrasjes së bashkëshortes pikërisht bashkëshortin. Mbeta tejet i tronditur në radhë të parë sepse njerëz të tillë që duken normalë, por që kanë ndjenja të tilla kriminale janë kaq pranë nesh. Edhe pse policia dhe drejtësia nuk kanë thënë përfundimisht fjalën e tyre ka shumë mundësi që versioni real të jetë ky. Ndaj pyeta veten. Çfarë mund ta bënte një burrë që të vriste bashkëshorten e tij në sy të dy fëmijëve, t’i linte ata me një traumë kaq të madhe, t’i largonte nga jeta një grua, një vajzë të re, e cila kishte menduar të kalonte jetën me të, e cila ishte bashkëshortja e tij, që kishin kaluar ditë të gëzuara dhe të trishtueshme padyshim, që i kishte sjellë në jetë dy fëmijë dhe që shpresonin t’i rrisnin së bashku? Ka shumë pse. Është padyshim e vështirë të gjesh një arsye, por një gjë është e sigurt. Çdo njeri që kryen një akt të tillë nuk meriton asnjë fjalë tjetër përveçse kriminel. U prehtë në paqe gruaja e re dhe shpresoj që fëmijët ta kalojnë sa më shpejt dhe me sa më pak pasoja këtë dramë”, thotë Fevziu.

Liridona Murseli humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës. Rreth 48 orë më vonë, policia arrestoi bashkëshortin e saj, Naimin, si porositës të vrasjes, Granit Plavën si ekzekutor dhe Kushtrim Kokallën si bashkëpunëtor në këtë ngjarje shumë të rëndë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share