Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka konfirmuar se në samitin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare që mbahet të martën dhe të mërkurën, një nga temat kryesore të diskutimit do jetë situata e sigurisë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në një konferencë për media nga Brukseli, kreu i Aleancës Veri-Atlantike, tha se “kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës, retorikë ndarëse e shkëputëse në Bosnjë Hercegovinë, dhe tentime malinje të ndërhyrjeve përfshirë ato nga Rusia”.
Ndërkohë, ai foli për një prani më madhore të NATO-s në Kosovë.
“Bashkë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së (Josep Borrell) ne do të diskutojmë mënyrat që të rrisim stabilitetin në rajon. NATO-ja tashmë ka shtuar 1000 (një mijë) trupa në Kosovë. Dhe ne jemi duke ekzaminuar një prani më të qëndrueshme në Kosovë”.
Stoltenberg i bëri thirrje Kosovës e Serbisë, që menjëherë t’i kthehen dialogut që udhëhiqet nga BE-ja.
“Beogradi dhe Prishtina, duhet të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Stabilitetit varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë, në vend të konfliktit dhe kaosit”, tha Stoltenberg. /klankosova