Kreu i grupit famëkeq Vagner, që akuzohet për krime lufte në shumë zona konflikti nëpër botë, surprizoi me një thirrje që i bëri presidentit rus Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.
Përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetin Telegram, Prigozhin thotë se Rusia i ka arritur të gjitha objektivat në zonat që ka marrë deri më tani nën kontroll.
Megjithatë, ekspertët e Institutit Studimor amerikan për çështjet e luftës janë skeptikë në ndershmërinë e kësaj thirrjeje.
Sipas tyre, duke ndalur ofensivën dhe gatishmërinë e ushtrisë, Prigozhin po përpiqet të krijojë një skenar ku të gjejë justifikime për një disfatë të mundshme të rusëve, në rast të një kundërofensive të gjerë të ukrainasve, që është duke u përgatitur pasi është mirëarmatosur me tanket dhe avionët që ka marrë nga perëndimi.
Për më tepër, Moska ka nisur një fazë të re rekrutimi ushtarësh dhe për këtë po u dërgon mesazhe edhe me postë elektronike apo me rrjete sociale, të gjithë meshkujve që plotësojnë kushtet.
Tv Klan