Krenar Lloga: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vijon të jetë selektive!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri ynë strategjik më i rëndësishëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Vendosja e individëve në listën e zezë nga Departamenti Amerikan i Shtetit dëshmon përkushtimin e tyre për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe një shteti me vlera demokratike – një qëllim që e ndajmë të gjithë si qytetarë të këtij vendi – thuhet në një postim në Facebook të ish-Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga.

Megjithatë, sic shkruan Lloga, përkundër polemikave rreth emrave të përfshirë në këtë listë – që shpesh përfaqësojnë figura me ndikim dhe pushtet politik por edhe ekonomik – qeveria e kaluar pati guximin politik të propozojë një ligj për masa restriktive, që ndalonte aktivitetet politike dhe ekonomike të individëve të sanksionuar nga SHBA.

“Fatkeqësisht, ky ligj u bllokua në Kuvend nga forcat politike që sot janë në pushtet, duke treguar një qasje të motivuar nga interesa personale dhe duke u frikësuar nga humbja e sponsorëve të tyre – një frikë që u reflektua edhe në rezultatin zgjedhor”– thotë Lloga.

Ndërkohë, sipas Llogës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vijon të jetë selektive dhe fragmentare.

“Disa figura të njohura, si ish-zv.kryeministri Koço Angjushev dhe oligarku Kamçev, vijojnë të përfitojnë nga fondet publike pa asnjë hetim të hapur ndaj tyre. Njësoj, nuk ka asnjë veprim ligjor ndaj kryetarit të Karposhit, i cili vazhdimisht shfrytëzon platformë mediatike për ligjërata politike. Një qasje e tillë selektive e drejtësisë jo vetëm që minon besimin e qytetarëve në institucione, por cënon edhe themelet e shtetit ligjor” – shkruan Krenar Lloga.

Lloga bën thirrje që institucionet të tregojnë përgjegjësi dhe profesionalizëm, duke siguruar një trajtim të barabartë dhe transparent ndaj të gjithë individëve të përmendur në listën amerikane.

“Vetëm përmes drejtësisë së drejtë dhe të paanshme mund të rikthejmë besimin e qytetarëve në institucione dhe të forcojmë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë”– thuhet në postimin e ish-Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share