“Parandaloni krimet zgjedhore deri në përfundim të procesit të numërimit”
Dy ditë para zgjedhjeve, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u është drejtuar me një shkresë Prokurorisë, SPAK dhe policisë për të marrë masa për mbarëvajtjen e procesit të votimeve dhe numërimit. Celibashi kërkon ndërhyrje të nevojshme për të parandaluar krimet zgjedhore.
“Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj nevojën për të koordinuar ushtrimin e këtyre përgjegjësive me qëllim parandalimin dhe evidentimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve në mënyrë efikase, më së paku në raport me kohën. Kjo, për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023. Mbi sa më lart, rekomandojmë të caktohen dhe të njihen reciprokisht kontaktet përkatëse, të posaçme, pritëse dhe dërguese të informacioneve të rastit. Kjo veçanërisht për periudhën nga sot deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave”.
Parandalimi i krimeve zgjedhore ka qenë edhe në vëmendje të ndërkombëtarëve. Një ditë më parë, ambasadorja Yuri Kim i bëri thirrje drejtësisë shqiptare të marrë masa ndërsa partive politike të parandalojnë çdo tentativë për shitblerje vote.
Madje, Yuri Kim njoftoi se ka raportime për blerje dhe shitje votash shumë pak ditë para 14 Majit.
Klan News