Ndonëse nuk arriti të merrte lejen për tu betuar si i zgjedhuri në krye të Himarës, Fredi Beleri ia doli të merrte pjesë në mbledhjen e KQZ që i hoqi përfundimisht mandatin e kryebashkiakut.
Me forcat e policisë që qëndronin pas tij, Fredi Beleri shfrytëzoi me pak se 5 minuta për të sqaruar pozicionin e tij.
Fredi Beleri: Siç erdha sot këtu mund të kisha vajtur në Himarë të isha betuar. Këtë leje fare thjesht mund ta merrja për të bërë betimin.
Fredi Beleri theksoi se kjo çështje mund ta zgjidhë vetem Kushtetuesja, pasi sipas tij, nje pjese e bashkise rrezikon burgun.
Fredi Beleri: T’i drejtoheni Kushtetueses për ta zgjidhur këtë punë njëherë e mirë për ata që do të vijnë sepse duket qartë që do ta bëjnë rrugë.
Avokatja e Fredi Belerit kërkoi që KQZ të tërhiqej nga projektvendimi me argumentin se nuk është kompetente per shqyrtimin e mandatit te Belerit.
Avokatja e Belerit: Gjithë procedura është e pavlefshme dhe ne kërkojmë pushimin e procedurës për shkak se është një procedurë në tejkalim të kompetencave.
Këto pretendime nuk ndryshuan vendimarrjen e KQZ për t’i hequr mandatin Fredi Belerit, pasi sipas Celibashit, ligji i dekriminalizimit e përcakton qartë.
Ilirjan Celibashi: Jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, dhe shpallim të pavlefshëm këtë mandat kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Fredi Beleri ka 30 ditë afat për të vendosur nëse do ta ankimoje vendimin në KQZ. Në rast ankimimi, KQZ do duhet të presë përfundimin e gjithë procesit të shqyrtimit e më pas të njoftojë Presidentin për vakancën e krijuar në bashkinë e Himarës.
Klan News