Kovaçevski vetëm e ruan postin e kryeministrit për BDI-në, Grubi dhe Osmani po ia numërojnë ditët – vlerësojnë nga VMRO e Mickoskit përmes një reagimi.
Sipas opozitares VMRO-DPMNE, Kovaçevski vetëm mendon se është kryeministër, ndërsa e vërteta është se ai është vetëm ekzekutor. Shefi i vërtetë, sipas VMRO-së, dalëngadalë po zbulohet, përcjell Klan Maqedoni.
“Kovaçevski vetëm e bën kalimin nga paraardhësi i tij te pasardhësi i tij. Bujar Osmani e turpëroi publikisht Kovaçevskin, dhe i tregoi se ku e ka vendin. E përderisa Artan Grubi bën skema me mbikqyrjen prej 22 milionë eurosh, derisa vëllai i tij blen dyqan në qendër të Shkupit me çmim prej 700 euro për metër katror, Kovaçevskit i duhet të heshtë dhe t’ia ngrohë karrigen dikujt nga BDI. Kovaçevski nuk guxon të kundërshtojë asgjë, sepse ai e di se çfarëdo që të thotë, mund të mos jetë më kryeministër dhe opsioni tjetër janë zgjedhjet, të cilat e di se do t’i humbasë, prandaj hesht dhe shtiret si mbretëreshë angleze”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së./KlanMacedonia