Kovaçevski takon kryesuesen e Këshillit të Ministrave të Bosnjës: Së bashku punojmë për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm në BE

Integrimi i vendeve të Ballkanit në familjen e madhe evropiane është një nevojë reale e rajonit, konstatuan në takimin e sotëm në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Krishto, njoftojnë nga qeveria.

Në takimin ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq, Kovaçevski dhe Krishto konfirmuan marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve si dhe përkushtimin për intensifikimin e bashkëpunimit në periudhën e ardhshme, përcjell KlanM.

“Kovaçevski e uroi kolegen e tij boshnjake që Bosnja dhe Hercegovina mori statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian. Ai në takim theksoi se e vetmja e ardhme e qëndrueshme dhe e begatë e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian”, thonë nga qeveria e RMV-së.

Sa i përket marrëdhënieve dypalëshe midis Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, ato janë pa pyetje të hapura. Qeveritë e dy vendeve në periudhën e ardhshme do të fokusohen në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, veçanërisht në segmentet e tregtisë në industrinë metalike, ushqimore dhe tekstile, njoftojnë nga qeveria./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share