Kovaçevski-Rue: Me mbështetje nga BERZH-i realizohen projektet kapitale kyçe për zhvillim të përshpejtuar të vendit

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot realizoi takim me drejtoreshën e Bankës Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim për Evropën Qendrore dhe Lindore, Sharllot Rue dhe shefin e Zyrës së BERZH-it në vend, Andi Aranitasi.

Në takim morën pjesë zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe drejtori i SHA për kryerjen e veprimtarive energjetike Resurset Nacionale Energjetike Shkup, Bajram Rexhepi.

Bashkëpunimi i deritanishëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ishte në fokus të takimit të sotëm, ku u konfirmuan përkushtimet e të dyja palëve për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm edhe në të ardhmen.

Në takim u diskutua për modernizimin e infrastrukturës rrugore, lidhjen hekurudhore me vendet e rajonit, ndërtimin e infrastrukturës, mbrojtjen e mjedisit, si dhe për energjetikën, ku theks i veçantë u vu në interkonektorin e gazit me Greqinë. Në takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim theksuan përkushtimin e tyre në mbështetjen e realizimit të projekteve për zhvillimin e gjelbër në vend dhe shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Kryeministri Kovaçevski, në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për realizimin e projekteve në fusha të ndryshme, të cilat mundësojnë përshpejtimin e rritjes ekonomike të vendit, krijimin e një klime të favorshme për investimet e huaja, si dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, me të cilat vendi ecën para në rrugën e integrimit evropian. Në takim, Kryeministri Kovaçevski theksoi se realizimi i projekteve kapitale është prioritet kryesor i Qeverisë. Ai theksoi se BERZH-i është një nga partnerët tanë më të mëdhenj në mbështetjen e realizimit të projekteve nga disa fusha në mbarë vendin që janë vendimtare për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, por edhe për zhvillimin e ekonomisë. Në takim u theksua se bashkëpunimi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është aktive në Republikën e Maqedonisë së Veriut që nga viti 1993 dhe deri më tani ka miratuar 171 projekte në vend, shumica e të cilave janë të destinuara për projekte në sektorin publik. Është institucioni financiar ndërkombëtar më aktiv që ofron mbështetje për projektet aktuale prej rreth 900 milionë euro, nga të cilat 760.6 milionë euro janë në sektorin e transportit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share