Kovaçevski, Rama dhe Vuçiqi do të shkojnë në Bruksel

Një ditë pasi tre liderët e vendeve të Ballkanit deklaruan se po shqyrtojnë mundësinë për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Europës, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do të marrë pjesë në këtë samit që mbahet në datat 23 dhe 24 Qershor.

Në një reagim në Twitter, kreu i qeverisë thotë se aty do të kërkojnë që të dëgjohen për projektin Ballkani i Hapur, teksa shprehet skeptik nëse Bullgaria do ta heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, edhe pse sot opozita bullgare u shpreh pro një vendimi të tillë.

“Do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE. Nuk do ketë shumë për të dëgjuar për ne, por do kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të ri Politik Europian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çdo përpara frymën e Europës. Sapo dëgjova që diçka po lëviz sot në Bullgari. Është shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm ku Bullgaria kritikohet si shtet që ka rrëmbyer dy vende të NATO-s, ndërkohë që në kufirin e Europës ka një luftë të nxehtë”, ka shkruar Kryeministri Rama në Twitter.

Në mbledhjen e BE-së në datat 23 dhe 24 Qershor do të merret vendimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat janë bashkë në këtë proces. Negociatat janë bllokuar për shkak të vetos që Bullgaria ka vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut, duke bërë që edhe Shqipëria ta pësojë me moshapjen e negociatave.

Mirëpo sot opozita në Bullgari është shprehur e gatshme të votojë pro heqjes së vetos ndaj RMV-së dhe pritet që propozimi të dërgohet nga qeveria bullgare në Parlament për t’u marrë një vendim. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share