Zgjedhjet e vitit 2024 do të kemi dy blloqe të partive politike, njëri për integrim evropian dhe tjetri për izolim. Kështu ka deklaruar kryetari I LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i cili thotë se blloku i parë ka vizion të qartë drejt Bashkimit Europian, ndërsa blloku tjetër ka rrugë të paqartë dhe që më shumë anon nga lindja. Lidhur me zhvillimet në ASH, Kovaçevski shtoi se Aleanca vetë duhet të vendosë nëse do të shkojë në rrugën drejtë Europës apo me alternativa të papërcaktuara që askush nuk i ka shpjeguar.
“Çdo parti politike së pari vendos brenda organeve të veta se si do të pozicionohet në hapësirën politike dhe së dyti secila parti politike zgjedh partnerët e saj në koalicion sipas vlerave që ndan. E kam thënë para një viti e gjysmë që në zgjedhjet e 2024-ës do të kemi dy blloqe të partive politike, njëri për integrim evropian dhe tjetri për izolim, njëri bllok për Perëndim dhe për anëtarësim në BE, blloku i dytë me një lloj alternativë të paqartë, të pashpjeguar nga askush, e cila do të shikojë më shumë nga Lindja sesa nga Perëndimi. I takon Aleancës të vendosë nëse do të shkojë në Perëndim apo në Lindje, nëse do të shkojë për Europën apo për disa alternativa të papërcaktuara që askush nuk i ka shpjeguar. Megjithatë, është vendim i tyre”, tha Dimitar Kovaçevski./tvklan.mk