Kovaçevski për VOA: SHBA-të konfirmuan rolin e RMV-së si anëtare e rëndësishme në NATO

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski vizitoi për herë të parë Shtetet e Bashkuara, prej se erdhi në pushtet.

Vizita u zhvillua në një periudhë vërejtjesh dhe kritikash të shtuara nga Uashingtoni për qeverinë e Maqedonisë së Veriut, gjyqësorin, për shkallën e korrupsionit, gjendjen e sundimit të ligjit, procedurat e ngadalta gjyqësore që përfundojnë me vjetrimin e rasteve. Zoti Kovaçevski flet hapur për ndikimin keqdashës rus në Maqedoninë e Veriut.

Zëri i Amerikës: U takuat me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken dhe me zyrtarë të tjerë të lartë, si Gabriel Escobar. Me çfarë mesazhi u larguat nga Departamenti i Shtetit?

Dimitar Kovaçevski: Pata një takim jashtëzakonisht konstruktiv, miqësor me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken dhe me bashkëpunëtorët e tij kryesorë, ku u theksuan të gjitha synimet kryesore strategjike të shtetit tonë, për realizimin e të cilave gjithnjë e kemi pasur mbështetjen e SHBA-së. Shumë qartë u theksua mbështetja e SHBA-së për integrimin evropian të shtetit tonë; E dyta: u theksua roli ynë si anëtar më i ri, por tejet i rëndësishëm i Aleancës së NATO-s, teksa ne në asnjë çast nuk lejuam të jemi anëtar pasiv i Aleancës, por jemi shumë aktivë me pjesëmarrjen tonë, natyrisht në pajtim me kapacitetin tonë; E treta: biseduam për rolin tonë të rëndësishëm si kryesues tëe OSBE-së këtë vit që është më i vështiri pas Luftës së Dytë Botërore për Evropën dhe për atë se proceset po zhvillohen në një mënyrë që vendet anëtare të OSBE-së e presin nga ne si kryesues. Biseduam po ashtu edhe për projektet e përbashkëta që i kemi me partnerët strategjikë, para së gjithash këtu mendoj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por dhe Gjermaninë, Francën dhe anëtarët tjerë të Bashkimit Evropian. Në aspektin e pavarësisë energjetike dhe sigurimin e furnizimit të pandërprerë me burime energjetike të shtetit, sikur vitin e kaluar kur patëm ndihmë nga SHBA-ja, edhe për ndërtimin e projekteve të mëdha infrastrukturore të ardhshme në aspektin e energjetikës, Para së gjithash këtu mendoj për gazsjellësin që vjen nga “Elengy terminal” nga Greqia përmes Evzonit në Negotinë. Biseduam edhe për projekte të tjera infrastrukturore, siç është ndërtimi i Korridorit 8 dhe 10-D, për çka jeni të njoftuar se në bazë të vendimit të parlamentit tonë, do të ndërtohet nga konsorciumi amerikano-turk Bechtel-Enka.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, në Nju Jork shënuat 30 vjetorin e anëtarësimit të Maqedonisë (së Veriut) në OKB. Vendi, tre vjet është anëtar i NATO-s; Sa afër është drejt anëtarësimit në BE?

Dimitar Kovaçevski: Ne jemi një vend që në mënyrë absolute i realizon synimet strategjike, falë vendimeve që ka marrë udhëheqja shtetërore në momente të caktuara. Marrëdhëniet e brendshme i kemi rregulluar mbi bazë të Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe ne jemi një shembull i një shteti, ku marrëdhëniet etnike janë të rregulluara në nivelin më të lartë. E dyta, me Marrëveshjen e Prespës siguruan anëtarësimin e vendit në NATO, ndërsa vitin e kaluar me pranimin e kuadrit negociues i filluam bisedimet me BE-në. Tash varet nga ne marrja e vendimeve të mëtejme, sa i takon anëtarësimit sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Ky është obligim i të gjithë anëtarëve të parlamentit, të gjitha partive politike, sepse këto janë vendime mbipartiake prej të cilave varet e ardhmja e brezave që vijnë por edhe të sigurohet jetesa më e mirë për të gjithë qytetarët. Ne jemi shtet që tanimë ka harmonizuar 45 për qind të ligjeve me BE-në. Procesi i vlerësimit të përshtatjes së ligjeve po shkon jashtëzakonisht mirë, sipas raporteve që i marrim nga Brukseli dhe unë mendoj që nëse kemi vullnet dhe guxim politik nga të gjitha partitë politike, Maqedonia e Veriut deri në vitin 2030 do të bëhet pjesë e BE-së.

Zëri i Amerikës: Kjo është vizita e parë tek aleati strategjik, Shtetet e Bashkuara, prej se e morët detyrën, por vini në Uashington në një kohë kur janë shtuar kritikat e ashpra për gjyqësorin, për shkallën e korrupsionit, për gjendjen rreth sundimit të ligjit…

Dimitar Kovaçevski: Biseduam për të gjitha çështjet që janë të rëndësishme për përparimin e shtetit tonë, ndër të cilat edhe për avancimin e demokracisë. Ju e dini se vetëm para gjashtë vjetësh shteti ynë ishte i kapur, ndërsa sot jemi në vendin e 36 në botë për lirinë e shtypit, që paraqet një arritje të madhe për shkak të kapacitetit demokratik që ka kjo qeveri e drejtuar nga Lidhja Social Demokrate dhe, natyrisht, me partnerët e koalicionit. Po ashtu, u bisedua për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara janë ndër partnerët më të rëndësishëm në avancimin e sistemit gjyqësor në shtetin tonë, që është theksuar edhe nga përfaqësues të administratës amerikane dhe nga përfaqësues të Ambasadës amerikane në Shkup. Ne si qeveri prezantuam të gjitha ligjet që janë përgatitur në fushën e luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, investimeve që bëhen në gjyqësor, sigurimin e gjyqësorit të pavarur, megjithatë ajo që është para nesh, është përparimi i të gjitha këtyre proceseve; Para së gjithash e kam fjalën për shtimin e transparencës së sistemit gjithëpërfshirës gjyqësor që është i pavarur, megjithatë ai përbëhet nga individë dhe përmes transparencës duhet të identifikohen se kush janë ata me performanca më të mira apo më të ulëta, në mënyrë që të mund të përparojnë, apo se kush duhet të zëvendësohet, p.sh. me dikë të ri që do të sjellë energji të re dhe cilësi të re në punën e organeve gjyqësore. Tani më kemi Kod të ri penal që u miratua, por ekziston një numër i madh i propozim-ligjeve në procedurë parlamentare, pjesa më e madhe e tyre e bllokuar nga ana e opozitës. Unë shpresoj se deputetët opozitarë do të gjejnë mënyrën, nëse kanë vërejtje, t’i paraqesin ndaj këtyre ligjeve, e nëse nuk kanë vërejtje atëherë thjesht të lejohet të rrjedhë më tutje procedura, sepse e gjithë kjo ndikon në avancimin e sistemit. Është shumë me rëndësi që procesi i përshtatjes së ligjeve me BE-në në fund do të rezultojë me raporte që kanë të bëjnë me të gjitha kaptinat, përfshirë atë të sundimit të ligjeve, demokracisë dhe këtu do të mundemi saktësisht t’i shohim të gjitha kriteret që duhet të përmbushen në vitet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Për momentin po bëni një “aksion politik serioz” për rrumbullakimin e ndryshimeve kushtetuese. Si planifikoni ta bëni këtë në parlament, nëse kihet parasysh fakti se opozita paralajmëron në mënyrë kategorike se do të votojë kundër? Si mendoni të arrini tek numri prej 80 deputetësh?

Dimitar Kovaçevski: Unë kam thënë disa herë se ndryshimet kushtetuese, në pjesën e përfshirjes së pjesëtarëve të kombësive të tjera në Preambulën e Kushtetutës sonë është një prej vendimeve që kërkon shumicën prej dy të tretave, që mundëson qasjen e vendit në BE. Pas këtij vendimi, do të vijojë vendimi tjetër për gjyqësorin, për çka sërish nevojiten dy të tretat (e deputetëve për ta votuar). Pastaj vijon reforma e administratës publike, për çka po ashtu duhen dy të tretat; reforma e decentralizimit, përsëri me dy të tretat. Vendimet e këtilla nuk guxojnë të jenë shënjestër e shantazheve politike, sepse nëse bëhen me shantazhe politike, atëherë shteti nuk mund të përparojë drejt realizimit të synimit të tij strategjik; sepse nuk mundet që realizimi i anëtarësimit në BE, që siguron standard më të mirë për qytetarët, rroga më të larta, sistem më të mirë juridik, sundim më të mirë të ligjit, kujdes më të madh social, etj., nuk mundet të bëhet peng i karrierës së një njeriu apo i një partie politike. Ky është proces i të gjitha partive politike; nuk është proces i një njeriu, një partie ose një qeverie, por është një proces i gjerë shoqëror, i cili tashmë ka filluar, duke pasur parasysh se në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është formuar grupi i punës për amendamentet kushtetuese. Ky grup pune përbëhet nga ekspertë dhe sapo të dalin me amendamentet e përgatitura, atëherë mund të fillojë procesi publik i konsultave për to me komunitetet e biznesit, të akademisë, me partitë politike, dhe të hyjë në procedurë parlamentare. Të gjitha partitë, në veçanti ligjvënësit e kanë për detyrë që me vendimin e tyre të sigurojnë një të ardhme më të mirë për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm, sepse këto vendime bëhen për të ardhmen e shtetit. Nuk mund të jenë çështje e politikës ditore, siç nuk kanë qenë në vendet të cilat kanë hyrë në BE. I shohim dallimet kur jeni apo nuk jeni pjesë e BE-së. Kush mund të imagjinonte që qytetarë tanë të shkojnë të punojnë në Pragë apo Bratislavë, ose në cilindo shtet tjetër që më parë ishte anëtar i Paktit të Varshavës. Tash kemi rrugë të tëra me shtetas tanë në Pragë, psh., të cilët shkojnë atje për paga më të mira. Kjo, për shkak se Çekia, me hyrjen në BE ka një standard shumëfish më të lartë të jetesës se sa që ka pasur më parë dhe nuk ka konfirmim më të madh për nevojën e anëtarësimit në BE. Kjo do të thotë infrastrukturë më të mirë, sisteme më të mira për shërbimin e qytetarëve, standard më të lartë, më tepër vende pune… vetëm në Kroaci pas anëtarësimit në BE, numri i sipërmarrjeve është rritur për 30%, që do të thotë edhe numri i vendeve të punës.

Zëri i Amerikës: Çka po ndodh me ndikim keqdashës rus në Maqedoninë e Veriut? Ju keni folur për këtë temë, por disa muaj pas valës së njoftimeve të rreme për bomba, qeveria, përveç (pretendimeve për) ndërhyrjes ruse nuk ofroi asfare provash. Pse?

Dimitar Kovaçevski: Kur flasim edhe për “bombat”, por edhe për një sistem serioz të dezinformatave që krijohet nga vende të treta, të cilat nuk dëshirojnë ta shohin vendin tonë as si anëtar të NATO-s dhe as si anëtar të BE-së, e që fatkeqësisht kanë aleatë në vendin tonë – ne tashmë kemi parti politike të cilat financohen nga vende të treta; kemi individë të cilët punojnë për interesa të vendeve të treta dhe që nuk duan ta shohin vendin tonë të integruar në Bashkimin Evopian… Tek dezinformatat dhe informatat e rreme ekziston një definicion që unë e përsëris shpesh se ato madje as nuk janë informata! Por ato duan të krijojnë histeri dhe panik në mesin e popullatës. Nuk është lehtë t’iu hysh në gjurmë adresave IP që shkojnë përmes serverëve virtual në shtete të tjera, por Ministria jonë e Punëve të Brendshme, shërbimet tona të sigurisë me të vërtetë u treguan në nivel të detyrës, në veçanti për shkak të bashkëpunimit me partnerët tanë strategjik të NATO-s dhe para së gjithash mendoj për SHBA-në, sepse me ato bashkëpunuam më së shumti gjatë muajve të kaluar kur ishim të ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike dhe hibride të lloj-lloj mënyrave në aspektin e dezinformatave. Shërbimet e sigurisë treguan kapacitet por edhe dëshirë për rritjen e kapacitetit dhe sot nënshkruam Memorandum me SHBA-në në fushën e luftës kundër dezinformatave, që do të thotë se në të ardhmen do të punojmë shumë ngushtë me to në këtë çështje, për identifikimin se prej nga vijnë dezinformatat; vendet në shtetin tonë që i përhapin ato dezinformata; ndryshimi i rregullores me qëllim sigurimin e mundësive më të mëdha për menaxhimin e të gjithë sistemit për pengimin e përhapjes së informatave të rreme dhe dezinformatave./VOA/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share