LEN FORMON TRUPIN KOORDINATIV TË KOALICIONIT
Ligji në pjesën e përfaqësimit të partive politike në KSHZ duhet të respektohet – thotë Kryeministri Dimitar Kovacevski, I pyetur nëse me 6 anëtarë zgjedhjet do të ishin legjitime.
Opozita maqedonase dhe shqiptare drejtojnë akuza se qeveria po bën obstruksione që opozita shqiptare të mos ketë anëtarë nëpër komisionet zgjedhore.
“Obligimi I parlamentit dhe partive politike të përfaqësuar në Parlament përmes komisioneve adekuate, është që ta kompletojnë përbërjen e KSHZ-së. Gjithcka tjetër paraqet improvizim që mund ta njollosë procesin zgjedhor. Kam qëndrim të prerë, sic e thotë ligji për përfaqësimin e partive politike, duhet të respektohet, sikurse duhet të respektohet ligji në pjesën e qeverisë teknike që RMV-ja të shkojë në zgjedhje demokratike më 24 prill dhe 8 maj” – deklaroi Kovaçevski.
Nga ana tjetër opozita shqiptare ka formuar Trupin Koordinativ të koalicionit, sic thuhet, duke e bërë edhe një hap drejt unifikimit të forcave politike opozitare me të vetmin qëllim për të mposhtur BDI-në.
”Ky thellim i bashkëpunimit ka një zotim të qartë politik, sjelljen e ndryshimit duke u profilizuar kështu si shpresa e vetme që mund ta mundësojë këtë synim të shqiptarëve. Është koha e fundit për çdo subjekt politik ose individ të rreshtohet në anën e vullnetit të popullit, ndërsa të gjithë ata që refuzojnë t’i bashkohen Lidhjes, nënkuptohet që haptazi dhe me vetëdije të plotë e mbështetin monopolizimin e pushtetit të BDI-së, duke rrezikuar skajshmërisht fatin e popullit shqiptar, por edhe perspektivën e vendit” – thonë nga LEN.
Ndryshe, ditë më parë, Lidhja Europiane për Ndryshim akuzoi kryetaren e Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime, Marija Gjeorgjievska se në bashkëpunim me shumicën parlamentare, në mënyrë skandaloze dhe kundër demokracisë përpiqet ta eliminojë kandidatin e opozitës shqiptare për anëtar në KSHZ. Deputeti Fadil Zendeli deklaroi se kandidati i opozitës Abdush Demiri, i plotëson të gjitha kushtet dhe prezantoi dokumente të cilat e dëshmojnë të kundërtën e asaj që pretendon opozita. /KlanMacedonia/