Kovaçevski nuk pret ndryshime të reja në ekzekutiv

AHMETI TË SHTUNËN MBLEDH PARTINË NË REÇICË

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, informoi që sot do ta nënshkruaj propozimin për Ministër të ri të vetëqeverisjes lokale, e që do të jetë Risto Penov. Megjithatë, Kovaçevski nuk pret ndryshime të reja në përbërjen qeverisëse.

“Nuk pres ndryshime në resorët tjerë. Ja këtu e kam një ministër të BDI-së që ka qenë pjesëmarrës në ndërtimin e qendrës më të madhe fotovoltaike në shtet dhe mund të them se është ministër që kjo punë është bërë në mandatin e tij”,
deklaroi Kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Kovaçevski foli edhe për ndodhitë e fundit në Ohër dhe hapjen e organizatave bullgare që mbajnë emrat e figurave të kontestueshme historike.

“Mendoj që Bullgaria përkrahjen e saj duhet ta fokusojë drejt shoqatave që ndërtojnë ura mes dy shteteve tona. Shoqata që mbajnë emra të personave që historia e tyre i lëndon ndjenjat e maqedonasve, çifutëve, romëve, shqiptarëve dhe të gjithë komuniteteve që jetojnë këtu, histori që është e lidhur me periudhën më të zezë të Evropës e ajo është periudha e fashizmit, mendoj që këto emra nuk duhet të qëndrojnë nëpër shoqata”,
deklaroi Kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Edhe pse Kovaçevski tha që nuk pret ndryshime në ekzekutiv, megjithatë tek partneri i dytë më i madh i koalicionit punët ende nuk janë të qarta. Partia e Ahmetit do të takohet të shtunën, e në këtë takim pritet që përfundimisht të dihet se si do të përfundojë situata në BDI pasi plasën publikisht pakënaqësitë nga disa anëtarë të lartë të kësaj partie./KlanMacedonia/

Përgatiti: Furkan Saliu

 

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share